Njoftim për përdoruesit e autentifikimit dy faktorësh përmes numrave të IPKO-së

Prishtinë | 20 Qer 2019 | 09:57 | Nga Ekonomia Online

Zbatimi i kodit shtetëror, përfshinë po ashtu edhe përkrahjen e palëve online. Përveç përmbushjes së detyrimeve nga IPKO, ky proces përfshinë edhe njohjen e Kosovës dhe kodit 383 nga platformat online.

Për të rritur sigurinë e llogarive, shumë përdorues të mediave sociale dhe platformave të tjera online, kanë përdorur numrat me hyrjen 386 përmes autentifikimit apo verifikimit dy faktorësh dhe si rrjedhojë kanë pranuar nga një kod të ri, kurdo që janë kyçur në llogaritë e tyre.

Disa ofrues të shërbimeve në platformat online, siç janë Gmail, Facebook etj, e kanë shtuar kodin e Kosovës 383 nëpër platformat e tyre. Për këto platforma, ju lutemi të përditësoni numrat tuaj nga 386 në 383.

Megjithatë, ende janë disa platforma të tjera online, si Twitter, LinkedIn, Instagram etj, të cilat nuk e kanë vënë si opsion kodin e ri shtetëror të Kosovës 383. Shërbimet tjera të ofruesve të aplikacioneve globale, si PayPal, Amazon, AliExpress etj, mund të jenë të afektuara nga ky ndryshim po ashtu. Prandaj, rekomandojmë të gjithë klientët e IPKO-së, të cilët përdorin numrin e tyre me kodin 386 përmes kanalit të Autentifikimit Dy Faktorësh, që të largojnë numrat nga këto platforma online dhe të gjejnë forma të tjera alternative në rritjen e sigurisë së llogarive të tyre, derisa këto platforma të njohin kodin tonë shtetëtor telefonik.

Nëse nuk ndërrohet kodi në 383, apo nëse nuk zëvendësohen këta hapa të sigurisë me forma të tjera, atëherë rreziku është i lartë që ata të cilët nuk kanë përcjellur këto rekomandime, të mos mund të kycen në llogaritë e tyre, pas datës 30 qershor 2019. Në rast që u pamundësohet kyçja në llogari, atëherë duhet që të kontaktojnë platformat individualisht, në mënyrë që t’u mundësohet kyçja.

Procesi i kodit shtetëror, përfshinë përfaqësimin dhe njohjen e vendit tonë ndërkombëtarisht, prandaj deri në njohjen e kodit shtetëror të Kosovës nga këto platforma, është e këshillueshme që të hiqen numrat nga këto platforma.

Siç ka vepruar deri më tash, IPKO do të vazhdojë të informojë klientët e saj për çfarëdo ndikimi apo sfide që mund të shfaqet si rrjedhojë e zbatimit të kodit shtetëror. Ky është projekti më i rëndësishëm në historinë e telekomunikimit, i cili përfshinë përmbushjen e të gjitha obligimeve shtetërore në këtë fushë dhe si e tillë kërkon përkrahjen e plotë të të gjitha palëve të përfshira në këtë proces.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme