Njohësi i emergjencave paralajmëron vërshime, fton institucionet të marrin masa

Prishtinë | 24 Jan 2019 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i çështjeve të emergjencave në vend, Tahir Ahmeti, ka bërë të ditur se në këto kohë kur ka të reshura, mund të ketë edhe vërshime në vendin tonë, transmeton Ekonomia Online.

“Tani kur jemi në muajt në të cilët kemi reshje atmosferike më të shpeshta dhe më të dendura, si dhe duke u bazuar edhe në vitet paraprake, vërshimet e shpejta janë shumë të mundshme në vendin tonë”, ka shkruar Ahmeti.

Përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Facebook, Ahmeti i cili është pjesë e Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), ka ftuar insitutcionet përgjegjësise që të marrin masat e duhura.

“Institucionet përgjegjëse në Kosovë, si ato qendrore ashtu edhe ato lokale, varësisht prej përgjegjësive që kanë, duhet që me kohë të marrin masat e duhura preventive, dhe jo të presin përkeqësimin e motit dhe të reshurat atmosferike që shkaktojnë vërshime, siç ka ndodh pothuajse çdo vit, tek pastaj të reagojnë”, tha Ahmeti.

“Si masë parandaluese për një ndër shkaktarët kryesorë të vërshimeve thuajse të përvjetshme në disa lokalitete në Kosovë, (që veq është dashtë të ndërmirret deri me tani), është edhe rregullimi i shtretërve të lumenjve, kanaleve kulluese apo prrockave, në mënyrë që të pengohet dalja e ujit nga shtretërit dhe shkaktimi i përmbytjeve”, shton Ahmeti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme