Gjatë ditës së djeshme presidenti i vendit Hashim Thaçi, deklaroi se Kosova ka pranuar njohjen më të re nga shteti i Xhamajkës.
E pas presidentit Thaçi, ishte edhe Kryediplomati Glauk Konjufca, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, që uruan njohjen më të re nga shteti i Xhamajkës.
Por gjatë ditës së sotme gjithçka ndryshoi kur ministrja e Jashtme e Xhamajkës demantoi një lajm të tillë duke thënë se deri tani s’ka asnjë njohje nga shteti i tyre për Kosovën.
E njohësi i integrimeve evropiane, Avni Mazreku në një prononcim për “Gazeta Blic” ka theksuar se edhe nëse ka patur komunikim në kanalet diplomatike për njohje nga ky shtet, do të duhej të trajtohej me konfidencialitet dhe të mos bëhet e ditur një gjë e tillë pa marrë notën verbale.
“Bartësit e institucioneve të Kosovës, Presidenti, Ministri i Jashtëm, Kryetarja e Kuvendit, gjithë struktura institucionale e Kosovës nuk do të duhej të reagonin dhe të deklaronin një njohje për pa pas notë verbale që është konfirmimi zyrtar i shtetit respektiv në raport me njohjen e vendit . Në qoftë se eventualisht ka patur komunikim në kanalet diplomatike të shtetit respektiv në këtë rast të shtetit të Xhamajkës dhe shtetit të Kosovës sa i përket progresit në procesin e njohjes, sepse arritja deri në deklarimin e njohjes nga një shtet i caktum kalon nëpër disa stade procedurale, nuk është i përfundum për pa patur notën verbale nga shteti respektiv. Edhe nëse ka patur progres, atëherë qasja e bartësve të institucioneve të Kosovës do të duhej të trajtohej nga një kontekst i konfidencialitetit diplomatik dhe jo të instalohej njëfarë konteksti i konkurrencës midis bartësve të caktur të institucioneve se cili e ka meritën e autorisë së këtij momenti në fushën e politikës së Jashtme” tha Mazreku.
Ai tutje shton se kjo që ka ndodhur tani është tregues i një mungesë koordinimi në politikën e Jashtme.
“Por kjo që ka ndodh tani është treguesi më i mirë për mungesën e një koordinimi institucional i të gjitha institucioneve që e përbëjnë këtë që quhet spektri institucional i fushës së politikës së jashtme. Këto institucione të Kosovës që e përbëjnë këtë spektër instucional duket që nuk kanë qenë të koordinuara. Kjo nuk e ka karakterizu Kosovën vetëm tani por për një periudhë relativisht të gjatë. Këto veprimet e fundit që kanë ndodh nga bartësit e institucioneve të Kosovës do të duhej të ishin thirrja e fundit për një koordinim ma profesiona sa i përket politikës së jashtme. Mendoj që është momenti i duhur që ministri i ri i Jashtëm i Republikës së Kosovës të ndërmerrë të gjitha veprimet në këtë drejtim që e eliminojnë artikulimin e pikëpamjeve të ndryshme sa i përket politikës së Jashtme”, ka thënë Mazreku.
Kujtojme se Kosova që nga 15 Shkurti i vitit 2018 nuk ka regjistruar asnjë njohje.
Lista e shteteve që e kanë njohur Kosovë, e publikuar në faqen zyrtare të MPJ-së.