Njohësit e sigurisë tregojnë se çka nënkupton kategorizimi që kërkoi NJSI nga shteti

Prishtinë | 19 Nën 2023 | 11:43 | Nga Ekonomia Online

Pos rritjes së shtesës për rrezikshmërinë, në listën e kërkesave të njësisë speciale intervenuese ishte diçka që nuk u përmend fort.

Kërkesë e parë e pjesëtarëve të kësaj njësie elitare të Policisë ishte kategorizimi si njësi e veçantë dhe përfshirja në listën e ekspertëve.

Sipas njohësit të sigurisë, Valdet Hoxha kjo kërkesë ka të bëjë me gradimin e tyre financiar.

“E gjitha kjo ka të bëjë me pagesën në mënyrë specifike për ekspertizën të cilën ata e kryejnë, pra funksionet operacionale të cilat njësitë tjera nuk mund t’i kryejnë pra kryesisht ka të bëjë me anën materiale, mirëqenien e tyre pra pagesën në cilësi të kategorive të veçanta, çfarë do të duhej edhe të jenë”, ka thënë eksperti i sigurisë, Valdet Hoxha.

Njëjtë nuk mendon, Hajrullah Ternava. Sipas tij, kjo do të nxiste pakënaqësi mes njësive policore.

“Mendoj që një dallim i tillë sikur që po kërkojnë me i dallu si ekspert e ka një rrezik tjetër sepse mundet me përça Policinë e Kosovës”, ka deklaruar Hajrullah Ternava.

Ditë më parë, drejtori i Policisë së Kosovës tha që do të bëjnë të pamundurën që zyrtarët e njësive elite të Policisë së vendit të dalin të kënaqur pas kërkesave të tyre.

Të ngjashme