Njohësit politikë skeptik se takimi i ri në Bruksel do të japë rezultate

Prishtinë | 19 Tet 2024 | 15:22 | Nga Ekonomia Online

Tashmë është caktuar një raund i ri i dialogut Kosovë – Serbi, në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel. Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq do të priten nga i dërguari special i BE-së, Miroslav Lajçak, por ende nuk ka takim trepalësh të konfirmuar. Njohësit e rrethanave politike, Gëzim Baxhaku dhe Dushan Janjiq nuk presin përparim në dialog nga takimi i radhës.

“Takimet në Bruksel nuk kanë sjellë asgjë të re për më shumë se një vit”, tha analisti politik Gëzim Baxhaku, në programin e mëngjesit në RTK2. Ai theksoi se këto bisedime më shumë se sa duhet po merren me situatën e sigurisë në veri të Kosovës, e jo me tema që janë të rëndësishme që dialogu të ecë përpara.

“Mendoj se nuk do të ketë përparim në dialog derisa të mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe derisa të formohet qeveria e re, sepse çfarëdo hapi që mund ta merr Kosova në atë dialog mund të ndikojë në rrjedhën e zgjedhjeve dhe për këtë arsye si njëra, ashtu edhe pala tjetër do të shkojnë në Bruksel, do të ulen, do të bisedojnë dhe do të kthehen në shtëpi”, theksoi Baxhaku.

Mendim të ngjashëm ndan edhe Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, i cili thotë se ende nuk ka dialog politik dhe se ky mbetet problem kyç.

“Që një kohë të gjatë nuk shoh rrethana që qeveria e Kosovës do të pranojë, sepse fushata zgjedhore tashmë ka filluar, por as Vuçiqit nuk i konvenon të ulet me Kurtin. Prandaj, kjo është ruajtje e shfaqjes se gjoja dialogu është efikas, kurse në fakt edhe në Bruksel presin që të përfundojnë zgjedhjet amerikane dhe të vendoset një strukturë e re burokratike në Evropë”, tha Janjiq për RTK 2.

Ndërkaq, Baxhaku theksoi se dialogu dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura janë vendimtare për përparimin e mëtutjeshëm të të dyja palëve.

“Sepse e shihni Serbia është ndalur, nuk ka përparim në negociatat për anëtarësim në BE dhe nuk do të ketë përparim derisa të fillojë dialogu. Në të njëjtën kohë, pala kosovare nuk do të jetë në gjendje të përparojë dhe do të jetë problem i madh që kërkesa e Kosovës për marrjen e kandidaturës për anëtar të BE-së të vendoset në agjendë”, shtoi Baxhaku.

Në anën tjetër, Janjiq beson se në takimin e ardhshëm do të diskutohet për disa çështje të rëndësishme teknike, por thekson se nga paralajmërimet në media krijohet një atmosferë sikur diçka e rëndësishme do të ndodhë dhe se madje do të diskutohet edhe për marrëveshjen përfundimtare.

“Marrëveshje përfundimtare nuk do të ketë asnjëherë, por shoh që në këtë po merr pjesë edhe Lajçaku me atë paralajmërimin se ata do të udhëheqin marrëveshje strategjike. Thënë shkurt, nuk ka marrëveshje strategjike, rrethanat nuk janë të tilla që mund të bëhen marrëveshje strategjike. Pres një takim siç është paralajmëruar, dy negociatorë që janë shpallur si negociatorë kryesorë. Them të shpallur sepse nuk mund të jenë ata kryesorët. Kryesorë janë ata që marrin vendime politike”, tha Janjiq.

17 shtatori i këtij viti ishte hera e fundit kur kryenegociatorët Bislimi e Petkoviq janë takuar me Lajçakun në Bruksel, por që kishte dështuar të mbahet një takim trepalësh.

Të ngjashme