Komisioni për Arsim sot ka shqyrtuar raportin vjetor të punës së Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim për vitin 2023. Njohja e diplomave apo nostrifikimi dhe zbatueshmëria e udhëzimit administrativ ishin dy temat kryesore për të cilat u diskutuan në këtë komision, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Hasnije Ilazi tha se prioritet kryesore gjatë vitit të kaluar kanë qenë krijimi i dokumentacionit që derivon nga ligji dhe organizmi i konferencës ndërkombëtare sa i përket cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë dhe rajon.
Si çështje të rëndësishme, Ilazi përmendi se pavarësisht nëse përfundimi do të jetë pozitiv apo negativ për vendimin nëse do të kthehen në ENQA, tregoi se këta të fundit kanë potencuar se është arritur progres i jashtëzakonshëm prej momentit të përjashtimit.
“Sa i përket programeve të cilave duhet ta reflektojnë në nevojat e shoqërisë dhe tregut ne kemi potencuar se nuk kemi mundësi, jemi Komision që ndihmon në ngritjen e cilësisë por nuk mund të përzihemi në programe. Tregu ka filluar me u orientu nga këto programe, duke pasur parasysh numrin e studentëve që bien dhe profilizimi shkon sipas nevojave të tregut”, ka thënë ajo.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se përveç çështjes së njohjes së diplomave, ngriti si çështje ankesat për zbatueshmërinë e udhëzimit administrativ, që ka të bëjë me akreditimin e programeve bachelor profesionale.
“Vetë vendosin kodin dhe nivelin që aplikojnë këto specifika janë diçka që nuk është e zgjidhur. Ka qenë udhëzimi administrativ, ne jemi alarmuar që duhemi me bë një zgjidhje të përhershme jo të përkohshme, deri tash jemi munduar. Udhëzimi administrativ do të bëhet dhe do të kemi zgjidhje”, ka thënë ajo.
Lidhur me këto, kryetarja e KShC-së, Hasnije Ilazi tha se me të përfunduar udhëzimi administrativ paraprak, ende janë brenda një “vakumi ligjor”, pasi sipas saj udhëzuesi tjetër që mund ta rregulloj këtë çështje ende nuk është në fuqi.
Përveç kësaj, ajo tha se po punojnë sa i përket udhëzimit administrativ dhe se të mërkurën do ta dërgojnë një draft në Ministrinë e Arsimit për nënshkrim.
Anëtarja e komisionit për arsim nga Lëvizja Vetëvendosje, Arijeta Rexhepi parashtroi disa pyetje për kryetaren e KShC-së, sa i përket çështjes së njohjes së diplomave dhe mungesës së kompetencës formale për orientimin e programeve të studimit.
Përveç kësaj, Rexhepi pyeti rreth hartimit të rregullores për validim.
Lidhur me këto pyetje, Ilazi tha se gjithmonë është sfiduese detektimi se cilës fushë i përket dikush prej bartësve potencial të programeve.
Ajo tha se sa i përket programeve të cilat duhet të reflektojnë nevojat e shoqërisë dhe tregut nuk është mundësia që të ndërhyjnë në lirinë akademike që e kanë institucionet e arsimit të lartë.
Ndërkaq, lidhur me validimin, Ilazi potencoi se është një prej pikave më të rëndësishme për ta, për çka tha se kanë përpiluar draftin e parë të rregullores, të cilin do ta trajtojnë në shtator të këtij viti.
Deputeti, Enis Kervan, tha se gjuha turke ka nevojë për programe të reja, ndërsa kërkoi që udhëzimi administrativ të jetë veç për komunitetet apo të gjitha në një.
“Udhëzimi të cilin pothuajse e kemi hartuar është i tillë që garanton programet në gjuhë të komuniteteve, e ruan cilëson dhe zhvillon programet. Prorektorja prej Prizreni ka thëne se jemi pajtuar se ky format plotëson të dyjat”, u përgjigj Ilazi.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka thënë se është shqetësuese fakti se ende nuk është miratuar asnjë akt ligjor dhe rregullore.