-Sipas të Drejtës Ndërkombëtare lindja e shteteve të reja bëhet në disa mënyra : Një shtet mund të copëtohet në dy a më shumë shtete (rasti i Austro-Hungarisë, 1919);
-Dy ose më shumë shtete mund të shkrihen dhe të bashkohen midis tyre për të krijuar një shtet të vetëm;
-Një shtet i ri mund të krijohet si rezultat i luftës çlirimtare të një populli të shtypur, kur ky popull i shtypur çlirohet dhe krijon shtetin e vet. Në aspektin teorik ekzistojnë dy teori të formimit të shteteve, që do i trajtojmë si në vijim :
Teoria Konstitutive &Teoria Deklarative-
1. Teoria konstitutive: një shtet duhet të ketë: një popullsi, një territor, një qeveri dhe sovranitetin. Në kuadër të sovranitetit, element përbërës konstitutiv i shtetit është njohja nga ana e shteteve të tjera. (shek. XVIII-XIX);
2. Teoria deklarative : shteti ekziston pavarësisht nëse njihet apo jo prej shteteve të tjerë. (shek.XX). Njohja thjeshtë, është një pranim nga ana e shteteve e një situate tashmë ekzistente. Një shtet i ri do të fitojë kapacitet në Drejtë Ndërkombëtare jo si rrjedhojë e miratimit të te tjerëve, por si rrjedhojë e një situate faktike të veçantë.
Çdo shtet njeh një shtet të lindur rishtazi me një akt të veçantë individual, ka raste kur një numër shtetesh merren vesh midis tyre për të njohur bashkërisht shtetin e lindur rishtazi, që ndryshe njihet si njohja kolektive;
Njohja kolektive, mund të arrihet në njohje kolektive nëpërmjet një vendimi ndërkombëtar, qoftë nëpërmjet një organizate ndërkombëtare ose jo.
Shtetet anëtare rezervojnë të drejtën të shtrijnë njohjen tek autoritetet ekzekutive të veta dhe të mos duan ta delegojnë atë tek ndonjë institucion ndërkombëtar. E shumta që mund të thuhet është anëtarësia në OKB përbën një tregues të qartë të daljes si shtet në Drejtën Ndërkombëtare.
Dialogu Kosovë-Serbi-
Procesi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar pas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB)-së e cila mirëpriste mendimin këshillëdhënës të GJND-së, për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe mirëpriste gatishmërinë e BE-së për të lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi. Që nga fillimi i procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me 8 mars 2011, trajta e tij ka ndryshuar nga ai që fillimisht quhej dialog teknik, në të ashtuquajturin dialog politik ose dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, i cili filloi zyrtarisht më 19 tetor të vitit 2012. Që nga fillimi i dialogut e deri më tani janë arritur 33 marrëveshje.
Kuvendi i Republikës së Kosovës deri më tani ka miratuar katër Rezoluta lidhur me procesin e dialogut: më 10 mars të vitit 2011, më 18 tetor 2012, më 21 prill 2013 dhe më 15 dhjetor 2018. Përmes këtyre Rezolutave, përveç mandatimit të Qeverisë për të negociuar në Bruksel me shtetin serb, Kuvendi po ashtu obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës për të raportuar në mënyrë të rregullt para Kuvendit për mbarëvajtjen e procesit të dialogut.
Njohja Universale e shtetit të Kosovës-
Përparësi e Kosovës mbetet edhe më tej në dialogun Kosovë Serbi, mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, si dhe njohja e sovranitetit të Kosovës, nga më shumë se 110 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku tre (3) prej tyre janë shtete me drejtë veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si : Amerika, Franca, dhe Britania e Madhe.
Ndërsa, sfidë për Kosovën mbetet sovraniteti i cunguar i saj, apo shtetësia e pa përmbyllur, me mos pranim të saj në OKB, dhe mos njohjen universale nga (5) pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE)-së, mos njohjen nga Serbia, si dhe mos njohja nga dy shtetet e tjera me drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si : Kina dhe Rusia.
Kosova e vitit 2020-të ka një pozicion më të dobët në negociata apo thënë ndryshe dialogun “Kosovë Serbi”, sesa shteti Serb. Ngase, Kosova është shtet, por nuk është i njohur universalisht në botë. Kurse, Serbia qëndron me mirë në këtë raport, sepse ajo e ka të drejtën e të japi apo mos e japi njohjen e saj karshi Kosovës, ndërsa Kosova nuk e ka këtë marrëdhënie, sidoqoftë, Kosova në çfarë do varianti të pjesëmarrjes në dialogun e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) apo Bashkimit Evropian (BE)-së, nuk guxon të pranojë një zgjidhje për të, e cila e bën anëtare të plotë në OKB, por brenda nuk e ka njohjen e shtetësisë së saj të plotë nga ana e Serbisë, sepse këto dy gjëra janë të ndryshme përsa i përket raportit të shtetit në Drejtën Ndërkombëtare, pra, pranimi i Kosovës në OKB, pa njohje nga Serbia, nuk është tërësisht i plotë, apo e kundërta, marrja e njohjes nga Serbia, pa anëtarësimin e Kosovës në OKB, është përsëri i pa favorshëm për Kosovën.
Shkruar, nga Arbnor Sadiku.