Aktivisti i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi, me qëllim të një aksioni politik, u fut sonte në hapësirat e Radio Televizionit të Kosovës gjatë transmetimit drejtpërdrejtë të lajmeve qendrore duke e shpalosur një pankartë në të cilën shkruante “Radio Televizioni i Kurtit”, si shenjë proteste ndaj emërimit në krye të RTK-së të aktivistit të Vetëvendosje, Rilind Gërvalla.
Në një prononcim për Nacionalen, Nushi e quajti të domosdoshëm këtë aksion sepse sipas tij, RTK-ja po rrezikohet nga informimi i drejtë.
“Nuk mendoj se është aksion i ekzagjerum, sepse instalimi i pushtetit që ka ndodhur me emërimin e Rilind Gërvallës në televizon, nuk është as përafërsisht i njëjte me emërimet nëpër borde politike për ndërmarrje të ndryshme publike. Kemi të bëjmë me transmetuesin e vetëm publik shtetëror, ku le të themi një amator i gazetarisë, bëhet drejtor vetëm sepse është njeri i partisë. Kjo e rrezikon shumë informimin e drejtë, dhe na qon në një televizon publik që ka me i shërby veç propagandës së pushtetit”, tha Nushi.
Nushi foli edhe rreth pretendimeve të menaxhmentit të RTK-së të cilët në një reagim thanë se Nushi ka hyrë dhunshëm, ai tha se kjo nuk është e vertëtë, duke ftuar të publikohen edhe pamjet e kamerave gjatë qëndrimit të tij në hapësirat e televizionit publik.
“Nuk e di qysh i bjen me hy dhunshëm dhe fshehurazi, unë kam hy nga dera kryesore ka hyjnë krejt njerëzit, bile i kam përshendetur krejt njerëzit që i kam pa, edhe ka kam hy edhe kam dalur. Kamerat e sigurisë i kanë aty, kisha pasur dëshirë me i publiku edhe me i pa. Nuk ka pasur ndonjë rezistencë, bile u ndiva i mirëpritur”, tha Nushi, duke shtuar se aksionet tjera nga PSD do të vazhdojnë.
“Po kismet, nuk e lojmë pushtetin me instalu kaq kollaj propagandë në televizonin publik”, tha aktivisti i PSD-së.