Vazhdojnë mospajtimet PSD-VV në Kuvendin Komunal të Prishtinës

Prishtinë | 31 Maj 2018 | 16:39 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Egzon Azemi nga VV-ja ka bërë kërkesë në Kuvendin Komunal që të shkarkohet aksionari i Ndërmarrjes Publike Banesore, Qëndrim Sahiti.

Kërkesa e Egzon Azemit nga VV-ja për shkarkimin e aksionarit të NPB-së, Qëndrim Sahiti, asamblist i PSD-së, është bërë për arsye që, sipas tij, ka pasur shkelje në zgjedhjen e bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrjeje.

Mirëpo sipas Fatos Dibrës, zyrtar ligjor në asamblen komunale të Prishtinës, kjo është jashtë rregullave sepse kur është kërkuar si pikë e rendit të ditës ka qenë “diskutim për ndërmarrjet publike” dhe jo shkarkim i zyrtarit, raporton Ekonomia Online.

“Kur e keni votu propozimin që ta keni në rend dite, e keni futur si “debat për ndërmarrje publike lokale”  dhe jo për shkarkimin e një aksionari. Nuk mund të votohet për shkarkim të aksionarit, është jashtë rregullave. Në mbledhjen e ardhshme mund ta sjellni si pikë të rendit të ditës shkarkimin e aksionarit duke u bazuar në shkeljet që janë gjetur gjatë kësaj mbledhje”, tha ai.

Halim Halimi nga LDK-ja konsideroi si vendim të gabuar që nuk mund të shkarkohet një zyrtar ligjor.

“Ne e kemi shti në rend dite çështjen e ndërmarrjeve publike. Si rrjedhojë e kësaj ne mund të vendosim a me shkarku a jo. Ky kryeqytet është në hall për qeverisjen që ka”, tha ai.

Egzon Azemi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se kjo duhet të përcaktohet me votat e asamblistëve.

“Ndërmarrjet publike janë të Kuvendit Komunal. Ne e kemi pikën e rendit të ditës, s’ka nevojë me fut pikë të re. Unë s’e kam përmendur fjalën diskutim. Ne po konstatojmë që ndërmarrjet publike janë në rrezik. Edhe ministria ka reaguar ku ka kthyer mbrapsht këtë vendim. Sot kuvendi e ka për obligim ta shkarkojë një nga anëtarët që ka bërë këtë shkelje”.

Nol Nushi nga PSD-ja tha se kuvendi po futet në lajthitje, raporton EO.

“Kur futet si pikë e rendit të ditës shkarkimi i një aksionari atëherë mund të votohet, mirëpo nuk është propozuar si e tillë”, tha ai.

Pas fjalës së tij pozita e asamblesë së komunës lëshoi sallën.

Të ngjashme