Bordi i Odës Ekonomike Gjermane-Kosovare (OEGjK) ka zgjedhur Nora Hasani-Llapashticën, drejtoreshë të re Menaxhuese të OEGJK-së. Që nga 1 marsi 2017 ajo do ta marrë përsipër detyrën e re.
Hasani-Llapashtica që nga maji 2008 ka punuar në Departamentin Ekonomik të Ambasadës Gjermane në Prishtinë. Në këtë funksion e ka përcjellë themelimin dhe zhvillimin e OEGjK-së që nga fillimi. Ajo është juriste e diplomuar dhe është duke u specializuar në të drejtën ekonomike evropiane.
“Ne, bordi i OEGJK-së, jemi shumë të kënaqur që me znj. Hasani Llapashtica e kemi fituar një kandidate jashtëzakonisht të kualifikuar për postin e drejtoreshës Menaxhuese të OEGJK-së. Përvoja e saj e punës në departamentin ekonomik të Ambasadës Gjermane në Prishtinë dhe njohuritë e detajuara të zhvillimeve të deritanishme në OEGJK-së janë shumë të vlefshme për detyrën e saj të re”, ka thënë kryetari i OEGJK-së Fadil Hoxha.
Nëpërmes një komunikate shtypi, OEGjK thekson se synon t’i zgjerojë në mënyrë të konsiderueshme shërbimet për kompanitë anëtare, si dhe shërbime të tjera të këshillimit gjatë viteve të ardhshme. “Konceptimi dhe implementimi i ofrimit të shërbimeve të zgjeruar bazuar në kërkesën e kompanive anëtare është detyra më e rëndësishme e drejtoreshës së re menaxhuese”.
Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare është themeluar më 17 prill 2012 nga 39 kompani në Prishtinë. Nisma për themelim e kësaj Ode erdhi nga vet ndërmarrësit kosovarë dhe u përkrah nga Ambasada Gjermane në Prishtinë dhe Oda Ekonomike e Kosovës. OEGJK është një shoqatë e pavarur, jopolitike dhe jofitimprurëse sipas ligjit të Kosovës.
OEGjK është një shoqatë, që ka aktualisht rreth 100 kompani anëtare gjermane dhe kosovare, të cilat janë aktive në shkëmbimin ekonomik ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës.
OEGjK përfaqëson interesat e kompanive anëtare në organe të ndryshme politike. Ajo këshillon kompanitë në aktivitetin e tyre ekonomik në Kosovë dhe në Gjermani dhe është e angazhuar për nxitjen e marrëdhënieve tregtare ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës.