Norvegjia ka ndryshuar politikat e përdorimit të vaksinës kundër COVID-19 të kompanive “Pfizer”-“BioNTech”, duke e shqyrtuar përjashtimin e personave që vuajnë nga sëmundjet e pashërueshme. Kjo si pasojë e raportimit të rasteve të vdekjes në mesin e marrësve më të ndjeshëm, pas injektimit.
“Autoritetet Shëndetësore të Norvegjisë tani kanë ndryshuar rekomandimin (e tyre) në lidhje me vaksinimin e pacientëve që vuajnë nga sëmundjet e pashërueshme (që janë në shkallën e tetë të brishtësisë klinike apo edhe më të lartë”, ka bërë të ditur “BioNTech”.
Autoritetet në Norvegji të premten përmes një njoftimi, të përditësuar të hënën, kishin thënë se “reagime të zakonshme anësore mund të kenë kontribuar në përkeqësim te njerëzit e moshuar e që janë në gjendje më të rëndë shëndetësore”.
“Duhet të ketë një vlerësim për secilin pacient nëse përfitimet nga vaksinimi tejkalojnë rreziqet e efekteve anësore eventuale”, ka thënë Agjencia Norvegjeze e Barnave.
Deri më 14 janar, 23 vdekje të dyshimta janë regjistruar nga autoritetet shëndetësore në Norvegji. Në Norvegji, mesatarisht vdesin 400 persona brenda një jave nëpër qendrat e kujdesit.