Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) ka mbajtur një konferencë për medie, në lidhje me padinë nga Avokatura Shtetërore, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Shërbimeve Publike, njëherësh aksionar në NPB, Dren Kukaj, ka thënë se kjo padi është skandaloze dhe e pabazë.
Tutje ai ka bërë të ditur që të ndalen këto shantazhe, teksa shtoi se kësaj padie do t’i kundërpërgjigjen përmes avokatëve të tyre.
“Dje NPB ka pranuar një padi nga Avokatura Shtetërore e ministrisë së Drejtësisë për të cilën jemi njoftuar nga mediet lidhur me këtë projekt të ndërtimit. Këtë padi e kemi lexuar mirë dhe me keqardhje më të thellë më duhet ta them se është dokument skandaloz juridik”.
“Është e pabesueshme që një dokument i tillë del nga ministria e Drejtësisë, dhe është joprofesionalizëm i thellë. Ndaj kësaj padie dhe kërkesës së saj për masë të sigurisë, jemi duke u bërë gati për një përgjigje përmes avokatëve të angazhuar në këtë proces”.
“E gjithë padia bazohet në pesimizmin se është shkelur ligji nr. 06/1-092 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës se paluajtshme të komunës”.
“Është e paimagjinueshme që një institucion i tillë si ministria e Drejtësisë të mos dijë ta lexojë këtë ligj dhe ta kuptojë që i njëjti përjashton vetën nga zbatimi i tij në prona të ndërmarrjeve publike lokale”.
Tutje Kukaj ka thënë se veprimet e këtij institucioni ndërhyjnë në kompetencat e pushtetit lokal, raporton EO.
“Për më tepër jo vetëm ky institucion, por e gjithë kjo ndërmarrje e përbashkët dhe e orkestruar e shumë dikastereve qeveritare përbën tejkalim të qartë të kompetencave”.
“Iu rikujtoj se në Kosovë, pushtetet janë të ndara në nivel lokal me atë qendror, përfshire kompetencat tona. Çfarë kanë bërë ata përbën ndërhyrje në kompetencat nivelit komunal dhe kjo është e paprecedentë”, tha ai.