VV-ja sërish e akuzon NPB-në për dhënien e lejes në Lakrishtë, kërkon shkarkimin e dy aksionarëve

Prishtinë | 22 Tet 2021 | 15:45 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje dega në Prishtinë, ka hedhur sërish akuza ndaj Ndërmarrjes Publike Banesore lidhur me dhënien e lejes për ndërtimin objektit afarist-banesor prej 200 milionë eurosh, raporton Ekonomia Online.

Asamblisti i kësaj partie, Egzon Azemi ka folur për siç ka thënë skandalet në këtë ndërmarrje, teksa ka shtuar se me vendimet e aksionarëve po dëmtohet shëndeti publik.

Ai ka sqaruar se leja për ndërtimin e objektit në lagjen “Lakrishtë” i është dhënë një kompanie të regjistruar një ditë para hapjes së tenderit.

“Një nga kompanitë që është përzgjedhur për një projekt 200 milionësh, është hapur vetëm një ditë para se të fitonte në këtë aplikim. Pra kjo dëshmi ka mjaftuar të nisin hetimet dhe të ndalet ky projekt i dyshimtë”.

“Për më tepër kjo kompani, ka fituar dhe ka nënshkruar me MPB dhe tinëzisht u rrezikua shëndeti qytetarëve, konkretisht në lagjen Lakrishtë”, tha Azemi.

Tutje ai bëri të ditur se do të thërrasin një seancë me vetëm një pike të rendit të ditës, ndërkaq kanë ftuar edhe partitë tjera ta votojnë shkarkimin e aksionarëve Genc Sherifi dhe Dren Kukaj, raporton EO.

“Ne sot iu bëjmë thirrje gjitha partive politike që te na japin nënshkrimet për të thirrur seancë të jashtëzakonshme që të trajtojmë të gjitha këto problematika dhe t’i shkarkojmë dy aksionarët që kanë nisur këtë proces të dëmshëm dhe jo transparencë”.

Ministri Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, i ka pezulluar punimet e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), në lagjen Lakrishte, pasi gjatë rrënimit të një objekti të vjetër, doli se kishte materiale të azbestit e të cilat konsiderohen kancerogjene.

NPB-ja bashkë me kompani private, si bashkë-investim, në atë lokacion synon të ndërtojë një objekt të madh afaristo-banesor.

NPB-ja po synon që përmes ndërtimit të përbashkët me sektorin privat, të rrisë të hyrat dhe pasurinë e saj.

Të ngjashme