NPB-ja anulon për herë të dytë shpalljet për lokalet në lagjen “Pejton”

Prishtinë | 04 Tet 2018 | 12:05 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Komunal i Aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore në mbledhjen e mbajtur më 1 tetor, për herë të dytë ka marrë vendim për anulimin e shpalljeve publike për marrjen në shfrytëzim të lokaleve në lagjen “Pejton”.

NPB-ja ka anuluar të gjitha shpalljet e datës 4 shtator të vitit 2017 dhe 31 majit të vitit 2018.

Kjo ndërmarrje për herë të parë kishte anuluar shpalljet për shkak të publikimit të përgjimeve të Nexhat Kryeziut, ish-kryeshef i NPB-së.

“Ndërmarrja Publike Banesore lajmëron të gjithë aplikantët se dokumentacioni dhe pagesat e kryera ndaj NPB-së për shpalljen e datës 31.05.2018 mund të tërhiqen. Afati për tërheqje të dokumenteve dhe rimbursim të mjeteve është i hapur për pesë ditë, duke filluar nga sot 04.10.2018 deri më 10.10.2018”, thuhet në njoftim.

Për tërheqje të dokumentacionit me vete po ashtu aplikuesit duhet të kenë letërnjoftimin dhe një kopje të pagesës së kryer më herët të cilat duhet t’i dorëzojnë fizikisht tek zyrat e NPB-së.

Konkursi i fundit ishte hapur në kohën kur Nexhat Kryeziu ushtronte detyrën e kryeshefit të Ndërmarrjes edhe pas skadimit të mandatit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme