Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka bërë të ditur të premten të mbrëmje se pagat e tyre nuk kanë dalë as me datën 24 nëntor, megjithëse ishin marrë vesh.
Sindikata thekson se është shkelur marrëveshja e arritur me Bordin për ndërprerjen e grevës.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës thotë se minatorët janë tradhtuar.
Minatorët e Trepçës përfunduan grevën 10-ditore më 3 nëntor, pasi arritën marrëveshjen me Bordin, negociuar nga disa deputetë të Vetëvendosjes, për plotësimin e kërkesave të tyre.
Sipas marrëveshjes, pagat e minatorëve do t’i dilnin nga data 6 deri më 10 të muajit dhe jo më vonë, konkursi për kryeshef të shpallej brenda 10 ditësh, ndërsa për sigurimin shëndetësor do të vazhdohej të pritej.
“Ku e lam, e ku na mbeti…! Edhe pas datës 24 nuk është realizuar paga e minatorëve të Trepçës së Kosovës. Marrëveshja e arritur si rezultat i grevës është duke u shkelur nga bordi dhe deputetët negociatorë, minatorët kërkojnë t’i përmbahen marrëveshjes. Minatorët janë të tradhtuar. Marrëveshja është thyer nga ata që e negociuan”, thuhet në reagimin e tyre.
Ndryshe, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli me shtatë nëntor ka raportuar para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me gjendjen e krijuar në ndërmarrjen “Trepça”.
Madje, Rizvanolli sa i përket grevës së urisë nga ana e minatorëve, pat thënë se kjo grevë nuk ka qenë e organizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi në disa aspekte si “nuk ka pasur këshill grevist siç parashihet me ligj dhe se nuk ka pasur informata lidhur me organizatorët e grevës, numrin e saktë dhe gjendjen shëndetësore të tyre”.
“Greva nuk ka qenë e organizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi në disa aspekte kyçe, duke përfshirë këtu që nuk ka pasur informata në lidhje me organizatorët e grevës, me numrin e saktë të grevistëve dhe gjendjen shëndetësore prej secilit prej tyre, kohën e hyrjes dhe daljes së grevistëve dhe personave të tjerë në minierë. Për bordin ka qenë pak situatë e vështirë pasi që nuk ka pasur një këshill grevist siç parashihet me ligj, I cili do të ishte i autorizuar për të përfaqësuar këndvështrimet dhe qëndrimet e punëtorëve”, ka theksuar Rizvanolli.