“Nuk doja ta bëja, por… ” – Ambasadori amerikan i kërkon ndjesë Vjosa Osmanit

Prishtinë | 21 Gus 2024 | 13:27 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, në përfundim të konferencës me presidenten Vjosa Osmani, ku foli për marrëdhëniet e përkeqësuara të ShBA-së me Qeverinë e Kosovës, është dëgjuar duke i kërkuar ndjesë Osmanit “Nuk doja ta bëja, por…”

Sikur dëgjohet në videon e Ekonomia Online, presidentja Osmani “përgjigjet” me një ofshamë.

Në konferencën për medie pas nënshkrimit të një marrëveshje në mes ShBA-së dhe Kosovës, që u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani, Hovenier foli për “sfidat” me të cilat po përballen ShBA-të dhe të tjerët me Qeverinë e Kurtit.

Hovenier citoi edhe zëdhënësin e Departamentit të Shtetit, Mathew Miller.

“Ashtu siç tha zëdhënësi këtë muaj: Qeveria amerikane shpreson që Qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës”.

Megjithatë, Hovenier vlerësoi se përkushtimi i ShBA-së ndaj popullit të Kosovës është po aq i fortë dhe i hekurt si gjithmonë.

“Edhe pse disa fusha të bashkëpunimit me qeverinë e tanishmë mbeten më pak pozitive sesa do të kishim shpresuar, përkushtimi i ShBA-së ndaj popullit të Kosovës po aq i fortë, i hekurt si gjithmonë”, tha ai.

Presidentja Vjosa Osmani dhe Mary Elieen Devitt, në emër të USAID-it nënshkruan sot marrëveshjen e grantit për objektivat zhvillimore, në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh. Pas ceremonisë, Osmani dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, u deklaruan për medie.

Derisa Osmani falënderoi ShBA-në për vazhdinin e mbështetjes, Hovenier një pjesë të madhe të fjalimit ia kushtoi raporteve jo të mira që Washingtoni ka me qeverinë aktuale të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është përballur së fundmi me kritika në lidhje me çështjen e hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë. Ditë më parë, ambasadorët e QUINT-it ia qartësuan Kurtit qëndrimin e Perëndimit në lidhje me Urën e Ibrit.

Ndërsa në një deklarim tjetër, Hovenier foli për rrezikimin e ushtarëve amerikanë nga veprimi “i njëanshëm” i Qeverisë Kurti.

Të ngjashme