Nuk e deklaruan pasurinë 14 zyrtarë të lartë, 50 e deklaruan pas afatit të rregullt

Prishtinë | 23 Maj 2022 | 14:00 | Nga Ekonomia Online

Agjencia Kundër Korrupsionit ende nuk e ka bërë publikimin e pasurisë së zyrtarëve publik për vitin 2022, përkundër që procesi i deklarimit ka përfunduar në fund të muajit mars.

Nga Agjencia Kundër Korrupsionit ka thënë se janë duke u marrë me përpunimin e të dhënave.

Sipas AKK-së, përpunimi i të dhënave do të bëhet gjatë muajit qershor.

“Agjencia kundër Korrupsionit është duke përpunuar të dhënat e pranuara përmes formularëve të deklarimit të pasurisë. Këta formularë janë pranuar në formë fizike, nëpërmjet emailit, dhe nëpërmjet postës. Pas përpunimit të të dhënave dhe publikimit të të dhënave që do të bëhet gjatë muajt qershor, ne do të bëjmë fillimisht verifikimin e 20% të tyre përmes përzgjedhjes së rastësishme, përmes shortit, dhe pastaj të gjitha rastet të cilat denoncohen nga palë të jashtme apo identifikohen nga vetë AKK”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për Demokracia.com.

AKK ka bërë të ditur se nga 4 mijë e 748 zyrtarë sa janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë, vetëm 14 prej tyre nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Nga numri i përgjithshëm prej 4748 të zyrtarëve të lartë publik që kanë pasur për obligim ta deklarojnë pasurinë, 4684 zyrtarë të lartë publikë kanë bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit të rregullt ligjor, 50 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë pas afatit të rregullt ligjor, ndërsa 14 prej tyre nuk e kanë deklaruar pasurinë deri më tani”, thuhet tutje në përgjigjen e AKK-së për Demokracia.com.

Kjo agjenci thotë se pas publikimit të regjistrave të deklarimit të pasurisë dhe evitimeve të gabimeve eventuale, do të bëjë përgatitjet e nevojshme për hedhjen e shortit që do të jetë publik. Pas përfundimit të shortit dhe krijimit të listës që buron nga shorti, do të fillojnë kontrollin e plotë në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Të ngjashme