Drita e Gjilanit vijon të konfirmohet si pretendentja kryesore për të fituar titullin kampion në IPKO Superligën e Kosovës, teksa pasditen e sotme bëri detyrën në shtëpi përballë Ferizajt, duke fituar me rezultatin 2-0.
Miqtë, që kanë si objektiv mbijetesën, rezistuan mirë në pjesën e parë, duke arritur të mbajnë portën e paprekur, por sfida u zhbllokua që në fillim të 45-minutëshit të dytë, kur arbitri akordoi një 11-metërsh për vendasit.
Ekzekutimi ne penalltisë e mori përsipër sulmuesi kryesor i gjilanasve Kastriot Rexha, i cili gjuajti saktë dhe i dha avantazhin Dritës, ndërsa në minutën e 77’ ishte Astrit Fazlliu që vulosi suksesin, duke shënuar edhe golin e dytë.
Me këtë fitore Drita shkëputet në krye me 52 pikë, 5 më tepër se Prishtina e vendit të dytë, që do të luajë nesër në mbrëmje ndeshjen e saj dhe do të ketë mundësi të reduktojë sërish distancën.