Ish-presidenti George W. Bush ka zbuluar se për kë ka votuar në zgjedhjet e vitit 2020 në SHBA.
Dhe, siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, nuk ishte as presidenti i atëhershëm Donald Trump dhe as presidenti i tanishëm Joe Biden.
Në vend të kësaj, Bush shkroi emrin e Condoleezza Rice.
“Ajo e di këtë”, i tha Bush revistës People në një intervistë botuar të enjten. “Por ajo më tha se do të refuzonte të pranonte zyrën (e Presidentit)”.
Ndryshe, Rice shërbeu si sekretare e shtetit e Bush nga viti 2005 deri në vitin 2009. Ajo tani është drejtore e Institucionit Hoover në Universitetin Stanford.
Gjithashtu në intervistën me People, Bush u përpoq të sqaronte kritikat e tij në fillim të kësaj jave ndaj republikanëve të epokës Trump, të cilët në emisionin “Today” ai i përshkroi si “izolues, proteksionist dhe, në një farë mase, nativist”.
“Në të vërtetë ajo që duhet të kisha thënë – ka zëra të fortë që janë izolacionistë, proteksionistë dhe nativistë…”, tha presidenti i 43-të, i cili ka bërë dalje të shumta në media këtë muaj për të promovuar librin e tij “Out of Many, One: Portraits of Immigrants in America”.
Siç bëhet e ditur, libri i Bush thekson “udhëtimet frymëzuese të emigrantëve të Amerikës dhe kontributet që ata japin në jetën dhe prosperitetin e kombit”.