Asnjë prokuror i arsyeshëm nuk do të ngriste padi për sulme seksuale kundër kandidatit për gjykatës në Gjykatën Supreme, Brett Kavanaugh, ka thënë prokurori i rastit në një dokument për senatorët amerikan.
Në dokumentin e prezantuar para senatorëve republikanë, juristi në krye të Divizionit të Viktimave, Rachel Mitchell, ka thënë se akuzat kundër, Brett Kavanaugh, “janë jashtëzakonisht të vështira për t’u dëshmuar”.
“Por ky rast është edhe më i dobët se kaq. Profesoresha Christine Blasey Ford, ka prezantuar dëshmitarë të tjerë të ngjarjes, por ata dëshmitarë ose hodhën poshtë akuzat e saj ose nuk arritën t’i vërtetonin ato”, ka thënë Mitchell.
“Në bazë të provave që kemi, unë nuk mendoj se ndonjë prokuror i arsyeshëm do të ngriste padi”, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.
Kandidati për gjyqtar në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara, Brett Kavanaugh, është duke u përballur me drejtësinë pasi që profesoresha amerikane, Christine Blasey Ford, ka akuzuar atë për një sulm seksual që thotë të ketë ndodhur në vitin 1982.