Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar rezolutën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pas debatit parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë në vend.
Rezoluta mori mbështetjen e vetëm 25 deputetëve të partive opozitare. Për rezolutën për siguri kanë votuar vetëm opozita dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. 50 deputetë (shumica të Vetëvendosjes) kanë abstenuar.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, e ka prezantuar rezolutën për sigurinë të cilën e ka propozuar partia e tij.
“Debatin për siguri e patëm në një kohë kur situata në rajon dhe në raport me luftën në Ukrainë ishte përkeqësuar. Ne kemi propozuar rezolutë dhe propozoj ta hidhni në votim. Qeveria e Kosovës duhet të ketë prioritet çështjen e sigurisë dhe të miratohet strategjia e sigurisë së Kosovës. Sigurimi i kushteve, armatimi i ushtrisë me mjete moderne, krijimi për policinë, miratimi i ligjit të pagave”, lexoi Tahiri, disa nga pikat e rezolutës.
Kjo është rezoluta që ka propozuar AAK-ja:
Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta ketë prioritet të parë çështjet që ndërlidhen me siguri;
· Të miratohet dhe procesohet sa më shpejt në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Strategjia e Sigurisë Kombëtare të Kosovës;
· Ruajtja e Partneritetit Strategjik me SHBA në raport me forcimin e FSK-së;
· Njëkohësisht, sigurimi i të gjitha kushteve logjistike dhe armatimi i kësaj ushtrie me mjetet moderne;
· Mbështetja e plotë për Fondin e Sigurisë;
· Krijimi i tri kushteve normale për Policët:
o Pagë të dinjitetshme – miratimi i Ligjit të Pagave
o Sigurimi Shëndetësor për Policët e Kosovës
o Procedimi i Ligjit për Pensionim të Parakohshëm
· Mbështetja e vazhdueshme për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Kuvendi po vazhdon punimet me pikat e tjera në rend të ditës.