Zyrtari i Nismas, Bilall Sherifi ka kujtuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti sa ishte në opozitë, ku kishte thënë se në qeverisjen e tij, prokurori do të jetë më i famshëm se vetë ai.
Sherifi gjithashtu kujtoi kohën kur Kurti kishte thënë se do t’ua heq mbrojtjet e afërta politikanëve, e do t’ua japë prokurorëve.
Sipas tij, Kurti për një vit në krye të qeverisjes, po vazhdon të jetë më i famshëm se prokurorët dhe gjykatësit, si dhe vetëm ka shtuar numrin e mbrojtjes së afërt për vete.
Postimi i plotë i Bilall Sherifi:
Kështu deklaronte Albin Kurti sa ishte në opozitë:
“Kemi nevojë për prokurorë që të bëhen shumë të famshëm në Kosovë. Unë mendoj që është me rëndësi që të kemi prokuror në Kosovë që është më i famshëm se kryeministri, kështu unë do të konsideroj që kam kryer detyrën time si kryeministër, kur të kem një prokuror më të famshëm se unë”.
Gjithashtu premtonte se kur të bëhet kryeminstër do t’ua heqë truprojet politikanëve dhe do t’ua jap prokurorëve. Sepse prokurorët kanë nevojë për mbrojtje dhe jo politikanët!
Pas një viti në krye të qeverisë, Albin Kurti jo vetëm nuk krijoi një “prokuror të famshëm”, siç premtonte, por vazhdon të jetë më i famshëm se të gjithë prokurorët dhe gjykatësit së bashku, dhe, siç shihet në foto, jo vetëm që nuk i largoi truprojet por e ka rritur numrin e tyre. Për vete jo për prokurorët!