Nuk lirohet ish-presidenti, gjykatësi i Speciales: Ekziston rreziku që Thaçi të arratiset

Prishtinë | 12 Tet 2022 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, me 29 shtator, ka marrë vendim, me anë të së cilit ia ka vazhduar masën e paraburgimit Hashim Thaçit, i cili po akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai ka konkluduar se vazhdon të ekzistoj rreziku që Thaçi të arratiset, pengojë procedurat e kryej krime të tjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake arrin në përfundimin se rreziqet që Thaçi do të arratiset, do të pengojë mbarëvajtjen e procedurës së DhSK-së ose do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në këtë rast dhe/ ose do të paraqiten në DhsK, vazhdojnë të ekzistojnë”, thuhet në vendim.

Sa i përket rrezikut të arratisjes, në pjesën ku flitet për lirimin me kusht, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se, siç është vërtetuar më parë, ky rrezik mund të zbutet mjaftueshëm në bazë të zotimit të Thaçit për të qëndruar në arrest shtëpiak, qoftë në Kosovë apo në një shtet të tretë me marrëveshje bashkëpunimi me DhSK-në dhe t’i përmbahet çdo kushti të vendosur nga gjyqtari i procedurës paraprak.

Në vendim përmenden këto kushte i) dorëzimin e dokumenteve ndërkombëtare të udhëtimit; (ii) ndalimi i afrimit të vendeve ose personave të caktuar; (iii) ndjekja e procedurave me video-lidhje; dhe (iv) ndalimi i përdorimit të medias ose aktivitetit politik.

Sa i përket rrezikut të pengimit të progresit të procedurave të gjykatës dhe kryerjes së krimeve të mëtutjeshme thuhet se gjyqtari konstatoi se dërgimi i stafit të objekteve të paraburgimit të DhSK-së për të mbikëqyrur arrestin shtëpiak të z. Thaçi në Kosovë është një masë e paarsyeshme dhe, në çdo rast, nuk do të zbuste në mënyrë adekuate rreziqet e identifikuara

“Dhe, në çdo rast, nuk do të zbuste në mënyrë adekuate rreziqet e identifikuara dhe as nuk do të adresonte faktin se [REDAKTUAR]; (ii) përfshirja e Forcës Evropiane të Xhandarmërisë nuk do të minimizonte mjaftueshëm rreziqet që [REDAKTUAR]; (iii) [REDAKTUAR]; (iv) kufizimi i listës së anëtarëve të familjes që lejohen të jetojnë me z. Thaçi nuk do të zbuste në mënyrë adekuate rreziqet e identifikuara; (v) çdo ndërhyrje e supozuar në të drejtën e z. Thaçi për jetën familjare ishte në proporcion me qëllimet legjitime të ndjekura; (vi) rreziku në thelb i lartë i frikësimit ose ndërhyrjes për dëshmitarët dhe/ose anëtarët e familjeve të tyre nuk mund të zbutet në mënyrë efektive duke u mbështetur vetëm në masat mbrojtëse dhe në marrëveshjen e z. Thaçi për t’u riburgosur 30 ditë para fillimit të gjykimit pas skadimit të masat mbrojtëse të autorizuara në rastin konkret; (vii) monitorimi virtual i vizitave ndërmjet z. Thaçi dhe vizitorëve të aprovuar paraprakisht nga Zyra e Regjistrimit nuk ofron një shkallë mbrojtjeje që i afrohet mjaftueshëm masave mbrojtëse të ofruara nga monitorimi i drejtpërdrejtë në objektet e paraburgimit të DhSK”, thuhet tutje.

Sipas gjykatës, asnjë kusht shtesë, i cili mund të merret parasysh në mënyrë të arsyeshme, duke përfshirë ato të propozuara nga [REDAKTUAR] ose ndonjë kusht tjetër që mund të zbatohet qoftë në [REDAKTUAR], nuk mund të adresojë mjaftueshëm rreziqet e paraqitura nga z. Thaçi.

Gjyqtari i Procedurës Paraprake thuhet se kujton se masat e vendosura në objektet e paraburgimit të DhSK-së, të parë në tërësi, ofrojnë garanci të forta kundër vizitave dhe komunikimeve të pa monitoruara me anëtarët e familjes dhe vizitorët e miratuar paraprakisht, me qëllim minimizimin e rreziqeve të pengimit dhe kryerjes së krime të mëtejshme. Për më tepër, thuhet se ato ofrojnë një mjedis të kontrolluar ku një shkelje e mundshme e konfidencialitetit mund të identifikohet dhe/ose parandalohet më lehtë.

“Duke kujtuar se është në diskrecionin e gjyqtarit të procedurës paraprake që të krahasojë kushtet e propozuara nga Mbrojtja me kushtet në ambientet e paraburgimit të DhSK, gjyqtari i procedurës paraprake mbetet i bindur se kjo është vetëm përmes kornizës së monitorimit të komunikimit të zbatueshëm në DhSK që komunikimet e z.Thaçi mund të kufizohen në mënyrë që të zbuten mjaftueshëm rreziqet e lartpërmendura”, thuhet tutje.

Gjykata po ashtu ka konkluduar që, koha që ai ka kaluar në paraburgim nuk është joproporcionale.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.

Në këtë aktakuzë, thuhet se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.

Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla ose të ndëshkojnë autorët e saj.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi individualisht penalisht përgjegjës për: pikën 1 persekutim mbi baza politike dhe/ose etnike, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 13 (1) (h), 16 (1) ( a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 2: burgim, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (e), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; pikën 3 arrestimi dhe paraburgimi i paligjshëm ose arbitrar, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c), 16 (1) (a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thuhet në aktakuzë nga ana e prokurorisë.

Në pikën 4, ata ngarkohen me veprën akte tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (j), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit, kurse në pikën 5 për trajtim mizor, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit.

“Pika 6: torturë, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (f), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të ligji; Pika 7: torturë, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 8: : vrasje, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (a), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 9: vrasje, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 10: zhdukja e detyruar e personave, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thotë aktakuza.

Ndryshe, gjykatësi paraprak, më 29 shtator, miratoi kërkesën e Prokurorit të Specializuar për tërheqjen e pretendimeve për krime ndaj të paktën një viktime në Komunën e Ferizajt.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Të ngjashme