Nuk ndalen problemet për ZRrE-në, paditet nga KOSTT-i

Prishtinë | 23 Maj 2022 | 20:34 | Nga Ekonomia Online

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka paditur Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Në dokumentin që ka siguruar gazeta “Epoka e re”, KOSTT-i ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) që të anulohet neni 5 i Licencës nr. ZRrE/Li_15/17, sipas të cilit KOSTT-i obligohet t’i mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në veri të Kosovës.

Sipas padisë që KOSTT-i e dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për çështje administrative, ZRRE-ja në vazhdimësi ka injoruar kërkesat për kompensimin e humbjeve të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës.

“Prej vitit 2017, e këndej, në mungesë të të hyrave, sipas licencës në fjalë, KOSTT sh.a. në vazhdimësi është përballë me vështirësi për mbulimin e kostos financiare për humbjet e energjisë elektrike të shkaktuara në katër komunat në veri të Kosovës, Ndërkaq nga viti, 2020 e këndej KOSTT sh.a. është vënë në pozitë të vështirësive financiare dhe se pagesa e mëtejme e këtij obligimi do ta vë në pikëpyetje ekzistimin e kësaj ndërmarrje, ndoshta edhe falimentimin e saj”, është thënë në padinë e KOSTT-it.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) është duke u ballafaquar me kritika të ashpra nga opozita, pasi Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin kjo e fundit ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tarifat e reja të energjisë elektrike. Apeli e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e ZRrE-së.


Të ngjashme