Kur jemi gati në gjysmë të vitit 2018, Ministria e Punëve të Brendshme ka nxjerrë në konsultim publik Draftin e strategjisë kundër krimit të organizuar dhe Planin e veprimit 2018-2022.
Sipas këtij dokumenti, qëllimi i kësaj strategjie është zhvillimi i mëtejmë i politikave për marrjen e përgjegjësive për mbrojtjen e individit dhe shoqërisë, dhe problemet që janë pasojë e krimit të organizuar, shkruan sot Koha Ditore.
Ajo thuhet se është vazhdimësi e strategjisë paraprake kundër krimit të organizuar 2012-2017. Por nga ky dokument, sikurse edhe ato paraprake, njohësit e kësaj fushe nuk presin shumë.
Ata kanë vlerësuar se Draft-strategjia në fjalë ka shumë mangësi, është hartuar shkel e shko dhe se për të nuk është bërë një analizë e mirëfilltë buxhetore.
Kjo, sipas tyre, dëshmohet edhe me faktin se për aktivitete krejtësisht të ndryshme buxheti është i njëjtë cent për cent. Lidhur me këtë Draft-strategji gazeta ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme, por Zyra për media e saj nuk ka kthyer përgjigje që nga e hëna e kësaj jave.