Për shkak të mosmbajtjes së distancës nga publiku dhe mungesa e sallave të mëdha në Gjykatës e Pejës, është pamundësuar të mbahet rigjykimi ndaj të pandehurit Asllan Nikqi, i cili akuzohet për vrasjen e vëllait të tij, Metë Nikqi.
Vendimin për shtyrjen e seancës e ka marrë kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, pasi i njëjti konstatoi se salla e gjykimit ishte e stërmbushur me publik dhe nuk kishte mundësi të respektoheshin rekomandimet e IKSHPK-së për parandalimin e pandemisë.
“Meqenëse salla e gjykimit është e stërmbushur është e pamundur të mbahet gjykimi për shkak se nuk mund të respektohen rregullat e IKSHPK-së, e cila përcakton distancën prej 1.5 metra. Nuk kemi salla tjera më të mëdha dhe është e pamundur të mbahet distanca”, tha gjykatësi Sharraxhiu.
Në këto kushte, seanca e radhës u caktua më 11 dhe 12 tetor 2021.
Ndryshe, sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, vrasja e tani të ndjerit Metë Nikqi nga vëllai i tij Asllan Nikqi, kishte ndodhur si pasojë e problemeve pronësore.
I akuzuari Asllan Nikqi ngarkohet se me bisht të sëpatës e ka privuar nga jeta vëllanë e tij, Metë Nikqi, ndërsa djali i tij, i mituri A.N dyshohet për veprën penale të pjesëmarrjes në rrahje.
Më 24 gusht 2020, gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale dhe atë, nga vrasja e rëndë në vrasje të rëndë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme dhe ndaj të akuzuarit kishte shqiptuar 15 vite burgim.
Ndaj të miturit është shqiptuar masa edukative e mbikëqyrjes së shtuar nga ana e prindit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më 27 nëntor 2020, Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin e Gjykatës së Pejës pasi kishte konstatuar se ishte marrë në shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe rastin e ka kthyer në rigjykim.
Apeli ka konstatuar se dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë për të pandehurin Asllan Nikqi nuk përputhej me emërtimin ligjor të veprës penale për të cilin i pandehuri është shpallur fajtor.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 30 shtator 2019, Asllan Nikqin akuzohet se më 26 prill 2019, në afërsi të Rekës së Allagës në Pejë, me bisht të sëpatës e ka privuar nga jeta vëllanë e tij, këtu viktimën Metë Nikqi.
Sipas aktakuzës, për shkak të raporteve jo të mira mes familjeve të viktimës dhe të pandehurit të krijuara nga kontestet pronësore, lidhur me një pronë në mal, i pandehuri në ditën kritike së bashku me të miturin A.N, shkojnë në bjeshkë për të marrë drunj dhe në momentin kur marrin drunjtë, duke dashur t’i largojnë trupat nga traktori, viktima e kishte njoftuar policinë për prerjen e drunjëve dhe pasi policia nuk i përgjigjet, iu del përpara të pandehurit dhe të miturit.
Siç thuhet në aktakuzë, viktima i kishte sulmuar me sëpatë të pandehurin i cili arrin që t’ia marrë sëpatën nga dora dhe me bisht të sëpatës e godet viktimën në kokë dhe në pjesë tjera të trupit, ku në këtë rrahje merr pjesë edhe i mituri A.N e më pas largohen nga vendi i ngjarjes duke e lënë viktimën në gjendje të rëndë shëndetësore.
Si pasojë e këtyre goditjeve, viktima gjendet i vdekur pas dy dite në rrugën e fshatit Reka e Allagës dhe atë në vijë ajrore prej 1,200 metra nga vendi ku ka filluar përleshja fizike,
Me çka i akuzuari Nikqi ngarkohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 i Kodit Penal, e cila parashikon dënimin jo më pak se 10 vite burgim ose me burgim të përjetshëm. Për këtë vepër penale për të cilën parashihet dënimit me burgim të përjetshëm, sipas Kodit të ri Penal mund të shqiptoj dënim deri në 35 vite burgim.
Kurse, i mituri A.N. thuhet se kishte marrë pjesë në rrahje e cila ka rezultuar me vdekjen e tani viktimës Metë Nikqi, me çka ka kryer veprën penale “pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187, paragrafi 1 i Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri vjet.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.