Rrita e numrit të të infektuarve me Covid-19 ka bërë që të ketë kërkesa të mëdha për gjak, ka konfirmuar në një intervistë për Ekonomia Online drejtoresha në Qendrën për Transfuzion të Gjakut, Bukurije Zhubi.
Sipas saj, tha se gjatë kësaj kohe sidomos me shtimin e rasteve kanë pasur kërkesa më të mëdha për dhurim të gjakut, por që kanë mjaftueshëm doza për pacientët në nevojë.
“Duke pasur parasysh situatën me Covid-19 kemi pasur një shtim të punës dhe kërkesa të mëdha, përndryshe me dhurimin vullnetar kemi arritur t’i mbulojmë ato nevoja që kanë pasur pacientët me Covid-19”, tha Zhubi.
Tutje ajo tha se kanë ndikuar edhe dhuruesit vullnetar si FSK-ja, banorë të fshatrave të ndryshme e qytetarë të shumtë.
“Dhurimi i gjakut ka qenë akt human gjithmonë që të sigurojmë rezerva për ata që kanë nevojë. Përmes sesioneve që i kemi pasur nga FSK, dhe fshatra të ndryshme kemi arritur të sigurojmë sasi të konsiderueshme të gjakut”, theksoi tutje ajo.
Edhe pse thotë se moti i nxehët ka ndikuar në uljen e numrit të dhuruesve, ofrimi i shërbimeve është bërë pa asnjë problem.
“Jemi ndodhur në një verë jashtëzakonisht të madhe e të nxehtë, që ka ndikuar që të pakësohet me raste dhurimi i gjakut, e këtu hyjnë edhe pushimet por falë organizimeve tona nga qendra kemi kontribuar që të krijojmë një shtesë të dozave të gjakut, dhe edhe nga qytetarët që kanë shprehur dëshirë të japin gjak”, përfundoi ajo.
Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se në total numri i rasteve aktive është 8 544.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve është 106 157, ndërsa nga fillimi i pandemisë nga Coronavirusi kanë vdekur 2 286.