Numri i votuesve më i madh se i banorëve, zëdhënësi i KQZ-së tregon arsyen

Prishtinë | 21 Gus 2024 | 16:30 | Nga Ekonomia Online

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), gjatë mbledhjes së sotme, iu certifikua lista preliminare e votuesve me 2 milionë e 47 mijë e 149 votues.

Në një përgjigje për Ekonomia Online, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar se pse numri i votuesve është më i madh se numri i banorëve.

Sipas tij, në listën e votuesve përfshihen edhe shtetasit e Kosovës me të drejtë vote brenda dhe jashtë vendit, ndërsa në regjistrimin e popullsisë kanë marrë pjesë vetëm banorët rezidentë.

Po ashtu ai njoftoi se certifikimi i listës përfundimtare do të bëhet më 4 janar të vitit të ardhshëm.

“Sipas listës preliminare të votuesve, Republika e Kosovës ka 2,047,149 votues. Certifikimi i listës përfundimtare të votuesve, sipas planit të aktiviteteve të miratuar nga KQZ do të bëhet më 4 janar 2025. Lista Votuese dhe regjistrimi i popullsisë duhet të shikohen ndaras. Në regjistrimin e popullsisë janë të përfshirë vetëm banorët rezident të pranishëm në Kosovë në kohën kur është bërë regjistrimi, pra nuk përfshihen qytetarët që jetojnë jashtë vendit, ndërsa në Listën Votuese përfshihen shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë brenda dhe jashtë vendit”, tha Elezi.

Ndryshe, sot po ashtu KQZ-ja ka miratuar vendimin që një subjekt politik do të ketë të drejtë t’i shpenzojë deri në 2 milionë e 47 mijë e 149 euro për fushatën e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Të ngjashme