Koordinatorja në Qendrën e Monitorimit të Ujit në Institutin e Shëndetit Publik të Kosovës, Burbuqe Nushi-Latifi, ka deklaruar se uji i pijshëm në Kosovë është i sigurt 99%.
Nushi-Latifi në emisionin “Përballje”, në Telegrafi.com ka folur për cilësinë e ujit të pijshëm në Kosovë, duke thënë se raporti i vitit 2020 ka konstatuar se uji është i sigurt.
“Të dhënat e Autoritetit Rregullativ të Ujësjellësit për kanalizim në Kosovë, tregojnë se 92% kanë qasje në sistemet qendrore. E gjithë popullata furnizohet prej shtatë kompanive në Kosovë. Të shtatë kompanitë 60 deri në 70 % e tyre, resurs ujor e kanë sistemin sipërfaqësore, të tjerat kanë ujërat nëntokësore. Raporti i vitit 2020 thotë se në aspektin bakteror, 99 % ka garanci. Askund në botë nuk arrihet 100%. 98% ka përputhshmëri kimike, që i bjen përfundimisht është i sigurt me standarde”, deklaroi ajo.
Nushi-Lutifi tha se qytetarët duhet të kursejnë ujin.
“Kujdesi ndaj ujit është kulturë. Kemi me pas probleme nëse nuk dimë ta kursejmë ujin.Kosova duhet të bashkëpunojë, vetëdija e qytetarëve të resurseve ujore. Mos të abuzojnë me ujë, me kyçje ilegale”, ka thënë ajo.
Në intervistë, Nushi-Latifi ka folur edhe për gjendjen e krijuar në Deçan, duke numëruar disa nga faktorët e helmimit.
Nushi – Latifi deklaroi se raporti i fundit që kanë pranuar nga Qendra Rajonale në Pejë, thotë se deri më sot janë anketuar 557 pacientë nga komuna e Deçanit, të cilët kanë shprehur shqetësime shëndetësore.
“Ata kanë pasur simptoma, siç janë mundim, vjellje, dhimbje barkut, si dhe të njëjtën kohë 861 anketa epidemiologjike tek personat të cilët nuk kanë shqetësime, mirëpo e kanë pi të njëjtin ujë, pra janë mostër kontroll. Nuk kemi pasur raste të rënda, nuk po deklaroi që uji nuk ka mundur të mos participojë, pse po e them këtë është se në në Institut jemi ende në hulumtim. Çdo ditë jemi dukë bërë mostra, duke bërë anketa, janë duke u gjet burimet dhe shkaku. Sa i përket cilësisë së ujit, e gjithë kjo ka ndodhë në një sistem vetanak, i cili furnizon diku shtatë fshatra të Deçanit, ky ujë nuk ka pasur klor, është sistem i ndërtuar prej komunës. Ka dështime prej fillimit, ka pasur ngecje në funksionalizim, ende nuk ka klorizim të mirëfilltë në atë vend, përkundër faktit se uji është burimor. Në bazë të dhënave shkencore, nuk pritet me pas ndotje të madhe krahasuar me ujërat sipërfaqësore”, u shpreh ajo.
Ndryshe, për situatën e krijuar në Deçan ka pasur reagime të shumta, ndërkaq Qeveria kishte marrë vendim që të ndajë 150 mijë euro për Komunën e Deçanit, ndërkaq lidhur me rastin Prokuroria Themelore e Pejës ka nisur hetimet edhe ndaj disa personave, që mund të kenë pasur lidhshmëri me helmimin e ujit.