Nxënësit e shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë, në mbështetje të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kanë organizuar ekspozitë me vizatime për nderë të Ditës për internet të sigurt, raporton Ekonomia Online.
Kjo ngjarje u organizua në objektin e MASHTI-t, për siç u tha shkaku i pandemisë Covid-19.
Ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci ka kërkuar nga nxënësit që internetin ta shfrytëzojnë për të mirë e të kenë kujdes nga rreziqet që vijnë nga përdorimi i internetit.
“Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për internet të sigurt që është nesër, si Ministri e Arsimit kemi vendosur që aktivitetet t’i zhvillojmë në shkolla, në bashkëpunim me shkollat për shkak të rrethanave me pandeminë qe mos të kemi aktivitete dhe konferenca të përbashkëta si kanë qenë viteve të kaluara por prej këtu po e përcjellim porosinë për të gjithë që të përdorim sa më shumë internetin dhe mundësinë që na ofron interneti për avancimin, edukimin por në anën tjetër të jemi sa më shumë të kujdesshëm për mbrojtjen nga rreziqet qe mund të shfaqen në internet. Është përgjegjësi për ne si të rritur mësimdhënësve, menaxhmentit të shkollave dhe prindërve që t’i këshillojmë fëmijët e të mos bien preh e rrezikut që mund te shfaqet nga përdorimi i rrjeteve sociale”, tha Nagavci.
Jehona Oriqi, drejtoreshë e shkollës Faik Konica tha se nxënësit kanë dhënë mesazhe të mira lidhur me përdorimin e internetit me punimet e tyre te shfaqura.
Ajo tha se nxënësit e shkollës së tyre ka tash e një kohë që punojnë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit ku me këtë rast kanë mbajtur edhe ligjërata.
“Nxënësit gjatë kësaj periudhe kanë përgatitur udhëzime qe japim mesazh se si të përdorët në mënyrën më të mirë interneti dhe dëmet të cilat mund ti përfitojnë pa dashjen tonë. Po ashtu kanë përgatitur edhe një fletushkë që mund ta përdorim edhe nxënësit e shkollave të tjera”, tha ajo.