Nxënësit i dorëzojnë Haradinajt peticion me 124 mijë nënshkrime, kërkojnë ngritje të cilësisë në arsim

Prishtinë | 17 Kor 2018 | 11:24 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Një grup fëmijësh, së bashku me ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi, dhe përfaqësues të organizatës GIZ, i kanë dorëzuar kryeministrit Ramush Haradinaj një peticion me 100 mijë e 477 nënshkrime të nxënësve, mësimdhënësve dhe qytetarëve, të cilat janë mbledhur në kuadër të fushatës “Për arsim më të mirë në Kosovë”.

Kryeministri Haradinaj tha se kanë marrë obligime rreth përmirësimit të sektorit të arsimit dhe se ky peticion do të ketë ndikimin e vet, raporton Ekonomia Online.

“E kam pasë nderin ta presë delegacionin e nxënësve. Ajo çka mësova sot është që vitin e kaluar GIZ-i ka filluar një peticion për arsim kualitativ, ka rezultuar që kanë mbledhur mbi 124 mijë nënshkrime me kërkesë që qeveria me kthy në prioritet arsimin. Falënderoj GIZ-in për kujdesin e kushtuar arsimit, kemi marrë obligime. Nuk precizova, ky gjest do ta ketë ndikimin e vet”.

Blond Shehu, në emër të nxënësve, tha se ky takim me kryeministrin është i rëndësishëm për ta. Ai u shpreh optimist se së bashku me kryeministrin do t’i tejkalojnë problemet që sfidojnë sektorin e arsimit.

Ai ka shtuar që të përmirësohet përmbajtja e librave dhe kurrikula e re, raporton EO.

“Ka qenë takim i rëndësishëm për neve, kemi folë për çështjet në arsim, besoj që kryeministri dhe ne do të arrijmë t’i kalojmë këto pengesa. Shpresojmë që ka me na rritë shpresat që po i presim prej tij. Po presim me i riparu librat, kurrikulën e re”.

Përfaqësuesi i GIZ-it, Boris Scharlowski, ka kërkuar nga kryeministri që sektori i arsimit të shndërrohet në prioritet duke përfshirë rritje të buxhetit sepse, sipas tij, kjo rritje reflekton në ngritje të cilësisë.

“Jemi të lumtur që dorëzuam sot nënshkrimet, ju kryeministër keni qenë nga të parët që keni nënshkruar. Fushata është lansuar më 1 nëntor së bashku me 12 organizata, udhëhequr nga MAShT. Kemi tri nivele të kërkesave, e para arsimi të bëhet prioritet duke përfshirë rritje të buxhetit për arsim, kjo rritje e buxhetit të reflektohet me cilësi në arsimin fillor, kjo do të thotë trajnim të mësimdhënësve, tekste shkollore që janë me standarde evropiane, përfshirje e nxënësve të komuniteteve rom, shkali, egjiptian dhe grupeve të margjinalizuara. Arsimi është zotim i gjithsecilit në shoqëri”.

Më shumë se 124 mijë nënshkrime janë mbledhur nga nxënësit, në mbarë Kosovën që nga nëntori i vitit të kaluar kur ka nisur kjo iniciativë. Këto nënshkrime të nxënësve, mësuesve dhe prindërve që për qëllim kanë thirrjen për arsim më cilësorë në vend,  në mënyrë simbolike i janë dorëzuar Kryeministrit Haradinaj.

Pjesëmarrës në takim ishin edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, kryetari i Komisionit parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Ismajl Kurteshi.

Të ngjashme