Temperat kanë rënë mjaft ditëve të fundit në qytetin verior italian të Torinos, por kjo nuk e ka ndaluar nxënësen Anita Iacovelli që ta vazhdojë protestën kundër mbylljes së shkollës ku e ndjek mësimin.
Për çdo ditë që nga 6 nëntori, kur shkollat në këtë qytet dhe në tërë rajonin e Piemontit u mbyllën për shkak të shtimit të rasteve të koronavirusit, vajza 12 vjeçe, me kapelë, doreza dhe maskë, është uluar para shkollës “Italo Calvino” dhe e ka ndjekur mësimin përmes tabletit. Prapa saj shihet një parullë me fjalët “Mësimi në shkollë është e drejta jonë”.
Anita e filloi këtë mënyrë të veçantë të protestimit e vetme, por asaj së shpejti iu bashkuan shoqja Lisa Rogliatti dhe shokët e shoqet tjera të klasës. Më vonë, kjo nismë u bë e famshme në mbarë Italinë, shkruan The Guardian.
Nuk është mënyra më ideale për të mësuar, por fëmijët thjesht duan të kthehen në shkolla, pasi i kaluan disa muaj të mbyllur në shtëpi e banesa, duke qëndruar para kompjuterëve gjatë valës së parë të pandemisë.
“Krejt në fillim, kur ata njoftuan se do t’i mbyllnin shkollat, ne ishim të lutmur, sepse kishim teste për disa javë dhe menduam se do t’i shmangnim ato”, thotë Anita për gazetën britanike, “The Guardian”. “Por më pas, kjo u bë tepër e rëndë dhe u lodhëm shumë”, shton ajo.
Shkollat në Itali u rihapën në shtator pasi kishin qëndruar të mbyllura për më shumë se gjashtë muaj. Sidoqoftë, disa javë pas rifillimit të mësimit në objektet shkollore, u vendos që nxënësit përsëri t’i kthehen të nxënit nga largësia për shkak të valës së dytë të infeksioneve, e cila e preku rëndë Italinë. “Unë nuk u frikësova që të kthehem në shkollë, ishte vend i sigurt dhe ishte kënaqësi që t’i shihje shokët e shoqet, qoftë edhe për një koshë të shkurtër”, thotë Anita.
Sipas saj, mësimi nga largësia ka qenë shumë stresues. “Kur mësoni në këtë mënyrë, ka shumë probleme, ndoshta të humb lidhja e internetit dhe detyrohesh që ta përsërisësh detyrën. Pas një kohe të gjatë para ekranit, nuk mund të koncentrohesh dhe pengohesh dhe kështu nuk e ndjek mësimin më”, ankohet vajza nga Torino.
Protesta e Anitës dhe e nxënësve të tjerë e ka marrë vëmendjen e ministres italiane të Arsimit, Lucia Azzolina, e cila e thirri në telefon nxënësen dhe e përgëzoi, duke i thënë se do të bëjë gjithçka që mundet për t’i rihapur shkollat sa më shpejt.
Pakënaqësia e Anitës dhe nxënësve tjerë tashmë po promovohet nga lëvizja “Priorita alla Scuola” (“Prioritet për Shkollat”), e cila përbëhet nga mësuesit dhe prindërit që luftojnë për sistem më të mirë arsimor.
Anita tashmë po krahasohet me aktivisten e njohur botërore për mbrojtjen e klimës, Greta Thunberg. Sidoqoftë, duket se italianen e vogël nuk e ka magjepsur ky krahasim. “Unë jam Anita, jo Greta”, i ka thënë ajo nënës së vet.