Nxënës dhe shokë të 16-vjeçarit Aulon Zeka, i cili u vra para disa ditësh, janë mbledhur spontanisht edhe sot para Teatrit Kombëtar në Prishtinë.
Ata mbanin fotografi të Aulonit dhe pankarta ku shkruante “Drejtësi për Aulonin”.
Edhe mbrëmë, të rinj të kryeqytetit kanë ndezur qirinj në kujtim të 16-vjeçarit, i cili u gjet i vrarë tri ditë më parë, në afërsi të shkollës “Model”, në lagjen Arbëria.
“Solidarizohuni me humbjen e të një pafajshmi sot, për të mos u përsëritur dhe nesër!”, kanë thënë organizatorët.
Për vrasjen e Aulonit tashmë po mbahen në paraburgim dy të mitur. Dyshohet se vrasja ka ndodhur pas një mosmarrëveshje adoleshentësh për një vajzë. Vrasja ishte paralajmëruar edhe nëpërmes rrjeteve sociale.
Fotot: Ekonomia Online