Nxënësit e shkollës fillore të kryeqytetit “Xhemajl Mustafa” kanë filluar të mësojnë për edukimin medial, sipas modelit të vendeve nordike, raporton Ekonomia Online.
Kjo në kuadër të projektit “Edukimi Medial – Ekspertiza Nordike në Arsim”, bashkëpunim ndërmjet Komunës së Prishtinës, Organizatës Education Empowerment Initiative dhe partnerët nordikë, Finlandën dhe Suedinë, i cili synon fuqizimin e edukimit medial dhe rritjen e rezistencës digjitale te nxënësit.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, theksoi se edukimi medial është thelbësor për përgatitjen e fëmijëve në një botë me qarkullim të pakufizuar informacioni dhe se projekti forcon mendimin kritik, sigurinë digjitale dhe demokracinë.
Rama theksoi se ky projekt së pari nis me trajnimin e mësimdhënësve “sepse kur e forcojmë mësimdhënësin, e kemi forcuar çdo klasë dhe çdo nxënës”.
“Sot jemi këtu, në Shkollën ‘Xhemajl Mustafa’ të Dardanisë, për një qëllim që shkon larg përtej një vizite protokollare. Jemi këtu me folë mbi mënyrën se si t’i përgatisim fëmijët tanë për këtë botë të sotme, ku informacioni po qarkullon në çdo cep të saj pa censura e pa kufij, mirëpo ku e vërteta ende kërkon etje për ta njohur dhe mendim kritik për ta dalluar.
Projekti ‘Edukimi Medial – Ekspertiza Nordike në Arsim’ është një investim i drejtpërdrejtë në sigurinë e fëmijëve tanë, në demokracinë tonë dhe në cilësinë e arsimit publik. Ky projekt nuk është se thjesht shton një temë të re shkollore. Larg përtej kësaj. Ai forcon aftësinë e nxënësve tanë për të menduar, për të pyetur dhe për të mos u manipuluar. Ky projekt së pari nis me trajnimin e mësimdhënësve, sepse kur e forcojmë mësimdhënësin, e kemi forcuar çdo klasë dhe çdo nxënës. Duke i pajisur ata, mësimdhënësit, me ekspertizë bashkëkohore në edukimin medial, sigurinë digjitale dhe mendimin kritik, e forcojmë klasën, e forcojmë nxënësin dhe e forcojmë komunitetin shkollor në tërësi.
Komuna e Prishtinës e ka nisur këtë bashkëpunim me OJQ-në Education Empowerment Initiative dhe partnerët nordikë, Finlandën dhe Suedinë, me mbështetjen e Këshillit të Ministrave Nordikë, sepse besojmë se edukimi medial sot është pjesë e mbrojtjes së fëmijëve, e mirëqenies digjitale dhe e forcimit të demokracisë. Përvoja e Finlandës dhe e Suedisë në arsim na tregon se shoqëritë e forta ndërtohen prej qytetarësh që dinë ta verifikojnë informacionin, të mendojnë në mënyrë të pavarur dhe ta përdorin teknologjinë me përgjegjësi.
Sot, kjo përvojë po zbatohet drejtpërdrejt në shkollat e kryeqytetit. Si Kryeqytet, jemi të përkushtuar që shkollat tona të jenë hapësira të sigurta e mbrojtëse, si dhe formuese për jetë. Edukimi medial është mburojë dhe emancipim për ju, dhe është përgjegjësi publike për ne. Ju falënderoj për partneritetin, për besimin dhe për angazhimin tuaj. Bashkë le të ndërtojmë një arsim që i përgatit të rinjtë tanë jo veç për testet e shkollës, por për botën reale që i pret”, ka deklaruar Rama.
Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen, vlerësoi rëndësinë e projektit, duke theksuar se edukimi medial ndihmon fëmijët të kuptojnë dhe ta përdorin me përgjegjësi median dhe rrjetet sociale.
“Ky projekt është i rëndësishëm sepse është i bazuar në dialog me ide të ndara, sepse edukimi nuk duhet të bazohet vetëm në nota të mira, por në atë se çfarë duhet të përfshijë edukimi i fëmijëve tanë. Më vjen mirë që kam takuar mësimdhënësit e kësaj shkolle. Ne besojmë në edukim, jo në diskutime ku ne i ndalojmë fëmijët të bëjnë diçka. Fëmijët tanë janë shumicën e kohës në rrjetet sociale dhe ne duhet të dimë saktë se çka po shohin në rrjete sociale. Edukimi medial është si të tregosh rregullat e trafikut rrugor”, shtoi ajo.

