Nxënësja e vitit të dytë të Shkollës së mesme profesionale në qytetin Jajce të Bosnjë Herecegovinës, Kristina Sivonjiq, e ka shkruar një letër tronditëse për realitetin e të rinjve në rajon, njofton agjencia e lajmeve INA.
Rreth përmbajtjes dhe fjalëve të kësaj letre, shumëkush duhet të mendohet mirë. Përmbajtja e kësaj letre është si vijon:
“Mirë se erdhët në B e H. Në shtetin e mbushur me nacionalizma. Mirë se vini në shtetin ku njerëzit ndahen në kroat, boshnjak, serb, në katolik, ortodoks e musliman.
Mirë se vini në shtetin ku fëmijët prej 7-8 vjeç i edukojnë dhe i orientojnë njëri kundër tjetrit dhe që në fillim ua ndalojnë që të shoqërohen me moshatarët e besimit tjetër. Mirë se vini në shtetin ku të moshuarit ua mbushin kokën fëmijëve me diçka që ata nuk e kanë përjetuar.
“Ne fëmijët jetojmë si në përrallë”
Fëmijët që në moshën fëmijërore mësohen që duhet të urrejnë të tjerët që janë të besimit apo kombit tjetër, edhe pse as vet nuk e dinë pse?
Ne fëmijët jetojmë në një përrallë në të cilën nuk ka rëndësi se si quhesh, në çka beson dhe cilit Zot i lutesh. Por ama, për këtë i kemi të rriturit: baballarët, nënat, gjyshërit, gjyshet… që na frikësojnë me çudira të ndryshme …
Ne mes veti ndërtojmë dhe krijojmë miqësi që NACIONALISTËT dëshirojnë ta shembin duke na thënë: “ Ne nuk kemi luftuar dhe nuk jemi vrarë kot para 20 viteve që fëmijët tanë sot të shoqërohen mes veti ose mos e dashtë Zoti të shkojmë në të njëjtën shkollë”.
Bravo! Jeni mbase një shembull idol! Mendoj se po të mundeni tani do të na jepnit të gjithëve thikat dhe pushkët që të vritemi mes veti sikur ju para 20 vjetëve. Por megjithatë, edhe vet e shihni se kjo më nuk kalon dhe nuk shkon ashtu. Ju flisni se jeni ky ose ai, gjithnjë më i mirë dhe më i rëndësishëm e i vlefshëm nga ata të tjerët. Po kujt ju i flisni!?
Ate që ju jeni, mbajeni për vete. Lutuni cilit do Zot që i besoni, por respektoni edhe Zotin e të tjerëve. Pse i komplikoni gjërat që në të vërtetë janë shumë të thjeshta?
“Dëshirojnë të na ndajnë”
Neve rininë, fëmijët ata duan të na ndajnë, janë ata njerëz që e kanë kohën të vdesin. Ata që janë me një këmbë në varr. O popull, më mirë është që ata ditët e pleqërisë ti kalojnë në qetësi e jo të mendojnë se si ta prishin dhe shkatërrojnë ardhmërinë e B e H.
Koha e juaj ka kaluar. Ju jeni vetëm hije, që na përcjell neve të rinjve. Zotërinj, harroni se bota u mbetet të rinjve dhe ju tani shikoni mirë se çfarë do të bënit për këtë çështje?
Ju kurdo qoftë do të vdisni, ndërsa ne edhe më tutje do të mbetemi bashkë…”-ka shkruar nxënësja e vitit të dytë të Shkollës profesionale në Jajce, Kristina Sivonjiq. (INA)