Nxit reagime deklarata e Hovenier se njohja reciproke është e pamundur aktualisht

Prishtinë | 04 Jan 2023 | 19:18 | Nga Ekonomia Online

Pas deklaratës së ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, se njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë është e pamundur në këtë faze, kanë reaguar deputetë opozitarë. Ata bënë përgjegjëse Qeverinë për këtë realitet të krijuar në dialog.
Ka nxitur reagime deklarata e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë tash për tash nuk është e mundur.

Qëndrimin e ambasadorit amerikan e publikoi në “The Economist”, gazetari Tim Judah.

“Hovenier më tha se përderisa qëllimi përfundimtar ishte njohja reciproke e Kosovës dhe Serbisë, ‘e cila për fat të keq tani nuk është e mundur, sfidat e sotme ende mund të tejkalohen. Nëse e shihni këtë marrëveshje, si një hap të përkohshëm drejt kësaj… ka mundësi reale”, ka thënë Judah.

Deputetë opozitarë bënë përgjegjëse Qeverinë për këtë realitet të krijuar në dialogun Kosovë-Serbi.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili e ka drejtuar Qeverinë në mandatin e shkuar, kërkoi të dijë se çfarë ka ndodhur që SHBA-ja nuk e sheh më njohjen reciproke në qendër.

“Qeveritarët duhet t’i tregojnë popullit ku e kanë katandisur punën që e ka shtyrë SHBA-në — aleatin kryesor të Kosovës — të deklarojë se nuk është koha për njohje nga Serbia. Çfarë ka ndodhur në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në që njohja reciproke nuk është më në qendër?!”, ka thënë Hoti.

E deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar që deklarata e ambasadorit Hovenier të mos heshtet.

“Deklarata e ambasadorit amerikan se: ‘Njohja mes Kosovës dhe Serbisë tani nuk është e mundur’, s’mund të kalohet thjesht e të heshtet në qetësinë e festave të Vitit të Ri. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të jetë transparente ndaj qytetarëve sa i përket dialogut. Eksperimentet, si ato në veri të Kosovës që ndodhën në fundvitin që lamë pas, degradimi i komunikimit dhe i bashkëpunimit me SHBA-në nuk guxojnë të tolerohen. Qeveria e Kosovës duhet të japë llogari për nivelin shkatërrues qeverisës”, ka thënë Musliu.

As plani franko-gjerman mbi bazën e të cilit palët janë pajtuar ta zhvillojnë dialogun, nuk e parasheh njohjen në këtë fazë. E, për t’u dhënë shtytje bisedimeve, Kosovën dhe Serbinë pritet ta vizitojnë këtë muaj Emmanuel Bonne, këshilltar i presidentit francez, dhe Jens Pletner, këshilltar i kancelarit gjerman.

Profesori Dritëro Arifi vlerëson se me propozimin franko-gjerman ndërkombëtarët synojnë të ulin tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pra, këtu vetëm pajtohen që për të ecur tutje nuk ka pajtim për asgjë në kuptimin e njohjes reciproke, pra një pajtim që mos ta pengojë njëra-tjetrën. Po themi kushtimisht ta pranojnë një realitet, mirëpo ajo njohja në qendër nuk është në këtë marrëveshje. Ky është vetëm qëllimi për të ecur tutje, pra deri në një fazë tjetër, derisa të krijohen kushtet kinse për ta njohur Serbia Republikën e Kosovës”, ka thënë Arifi.

Këshilltari i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe ai i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, ishin në Kosovë edhe gjatë shtatorit. E, datën e vizitës së tyre për në janar nuk e konfirmuan të mërkurën autoritetet gjermane e as ato të BE-së.

Të ngjashme