“Nxori armën nga brezi”, detaje nga arrestimi i peshkatarit në Graçanicë

Prishtinë | 15 Mar 2026 | 19:51 | Nga Ekonomia Online

Gjatë kontrollit nga rojet e peshkimit në Liqenin e Badocit, është hasur një person duke peshkuar i cili kishte me vete një armë në brez dhe i njëjti është arrestuar në Graçanicë.

Në lidhje me këtë, kryetari i Federatës së Shoqatave të Peshkatarëve dhe Rojeve të Peshkimit, Milaim Vitija tregoi se si ndodhi ngjarja.

Ai për Klan Kosovën tha se i dyshuari fillimisht kishte ofenduar, e më pas e ka nxjerrë armën nga brezi.

“I kam zyrtarisht 100 roje, qysh nga data 27 shkurt në nivel Kosove prej Federatës. Çdo rajon ka rojen e vet. Sot isha në teren në Badovc duke i kontrollu peshkatarët. I thash një roje të shkonte ta kontrollonte njërin, ai tha se nuk ka anëtarësim dhe duhej të paguante 10 euro si formë dënimi. Ai tha që nuk e paguaj”.

“Në atë moment na ofendoi dhe më ftoi roja mua. E nxori armën nga brezi dhe shkova aty. U afrova, menjëherë kur më pa hipi në veturë me bashkëshorten edhe iku për në Graçanicë, por ne shkuam mbrapa. Aty u afruan edhe policia e asaj zone dhe e arrestuan”.

“Kemi përfunduar deklarimet dhe urojmë që të shkojë si duhet, sepse kërcënime të tilla na vështirësojnë punën në terren”, tha Vitija.

Të ngjashme