Lideri i dytë me radhë në hierarkinë e Al-Kaidës, i akuzuar për planifikimin e bombave vdekjeprurëse të vitit 1998 ndaj dy ambasadave të SHBA-së në Afrikë, u vra nga agjentët izraelitë në Iran në muajin gusht, raportoi gazeta amerikane The New York Times.
Sipas gazetës, udhëheqësi i lartë i Al Kaidës, Abdullah Ahmed Abdullah, u qëllua nga dy burra me një motor në rrugët e Teheranit, më 7 gusht.
Masri është konsideruar si një nga pasardhësit e mundshëm të udhëheqësit aktual të Al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri.
Duke cituar zyrtarë të inteligjencës, New York Times, tha se agjentët izraelitë e kryen atentatin me urdhër të Shteteve të Bashkuara.
Ministria e Jashtme e Iranit e kundërshtoi “fuqishëm” raportin dhe tha se nuk kishte “terroristë” të al Kaidës në tokën iraniane, përcjell REL.
“Kohë pas kohe, Uashingtoni dhe Tel Avivi përpiqen ta lidhin Iranin me grupe të tilla duke gënjyer dhe nxjerrë informacione të rreme në media në mënyrë që të shmangin përgjegjësinë për aktivitetet kriminale të këtij grupi dhe grupeve të tjera terroriste në rajon”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Saeed Khatibzadeh vetëm disa orë pasi u botua raporti i New York Times.
Shtetet e Bashkuara kishin ndjekur lëvizjet e Masrit dhe operativëve të tjerë të Al-Kaidës në Iran për vite me radhë, por roli i Uashingtonit në vrasjen e liderit të Al Kaidës, mbetet i paqartë, raportoi The New York Times.
As Irani, Al-Kaeda, Shtetet e Bashkuara dhe as Izraeli nuk e kanë pranuar kurrë publikisht vrasjen.
Masri u vra me vajzën e tij, e veja e djalit të ish-udhëheqësit të Al-Kaidës, Osama bin Laden, Hamza bin Laden, raportoi gazeta.
Irani më shumicë shiite dhe Al-Kaida, një grup militant ekstremist sunit, janë armiq pasi mbështesin ideologji të kundërta.
Zyrtarët e inteligjencës amerikane thonë se Masri kishte qenë në paraburgim në Iran që nga viti 2003, por kishte jetuar i lirë që prej të paktën 2015-ës.
Disa ekspertë të terrorizmit kanë spekuluar se Irani ka mbajtur disa figura të Al-Kaidës si një mënyrë për të dekurajuar grupin nga kryerja e sulmeve në Iran ose për t’i përdorur për shkëmbimet e të burgosurve. Grupi mund të jetë gjithashtu një kartë e dobishme kundër Shteteve të Bashkuara, një armike e përbashkët e Iranit dhe Al Kaidës.
Zyrtarët iranianë kanë mohuar ofrimin e mbështetjes për Al-Kaidën.