Një nga gazetat më të njohura në botë, e përditshma amerikane, “The New York Times”, i ka kushtuar një shkrim të gjatë fuqizimit të rolit dhe ndikimit të grave në politikë dhe shoqëri. Artikulli është i ilustruar me fotografinë e deputetes së zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të mbijetuarës së masakrës, Saranda Bogujevci.
Saranda Bogujevci shikon pa u trembur një grumbull vrimash të shkaktuara nga plumbat në murin e oborrit, të mbetura nga një masakër e dy dekadave më parë që e shoi shumicën e familjes së saj dhe që në trupin e saj lanë 16 plagë.
Ajo thotë se mendja ia ka fshirë kujtimet pamore të masakrës së “skorpionëve”, njësi paramilitare serbe. Por, thotë ajo, “unë ende mund ta nuhas dheun e përzier me aromën e gjakut.”
Mbijetesa e Bogujevcit ishte kundër gjasave për mbijetesë. Ajo u la duke menduar se ishte e vdekur në një grumbull trupash në oborrin e fqinjit të saj, ndërsa vendosmëria e saj e mëpastajshme për të dëshmuar kundër burrave që ia vranë nënën, gjyshen, dy vëllezërit dhe katër të afërm të tjerë e bëri atë simbol të guximit të pazakontë në Kosovë, vend që ende ka shenja të traumës së luftës së viteve të nëntëdhjeta.
Por zonja Bogujevci, 35 vjeçe, është shumë më shumë sesa një simbol. Ajo është pjesë e një vale të pazakontë të grave që po zgjidhen në Kuvendin e Kosovës, e cila e shpalli pavarësinë më 2008, por që mbetet një ndër vendet më të varfra në Evropë. Kur u shpallën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit të enjten në Prishtinë, ato treguan se gratë kanë fituar ulëse në kuvend më shumë se kurrë më parë – rreth 40 për qind të numrit të përgjithshëm.
Nazlie Bala, aktiviste për të drejtat e grave që kishte dhënë ndihmë për UÇK-në gjatë luftës, thotë se fuqia dhe vendosmëria e Saranda Bogujevcit e ka bërë atë emblemë të përvojave të hidhura dhe shpresave të Kosovës. “Ajo është një e mbijetuar. Ajo është e fortë si guri. Ajo është e vërteta jonë”, thotë zonja Bala.
Përderisa Bogujevci e merr vendin e saj në legjislaturën e re, që do ta zgjedhë presidentin e ri të Kosovës, ajo dëshiron që ky post, që është më i larti në vend, të shkojë për një grua tjetër dhe një të mbijetuare tjetër të luftës, Vjosa Osmani.
Zonja Osmani, e cila ka qenë ushtruese e detyrës së presidentit nga nëntori, kur paraardhësi i saj u arrestua për krime lufte, pritet të zgjidhet plotësisht në këtë post ditëve të ardhshme. Zonja Osmani, që garoi në zgjedhje në të njëjtën listë me zonjën Bogujevci, fitoi më shumë vota se secili kandidat tjetër dhe gjithashtu më shumë vota se kushdo tjetër që nga koha kur Kosova filloi të mbajë zgjedhje, dy dekada më parë.
Në një intervistë, zonja Osmani thotë se performanca e saj në zgjedhje tregon se “Kosova jo vetëm që është e gatshme për presidente grua, por votoi për një të tillë”, pavarësisht mizogjinisë së ngulitur dhe një “mendësie patriarkale të ndërtuar gjatë shekujve”.
Kandidati rival për president, Ramush Haradinaj, ish-komandant i UÇK-së dhe ish-sigurim i klubeve të natës, tha gjatë fushatës se Serbia do të gëzohej, nëse zonja Osmani zgjidhet presidente, sepse ajo (Serbia) do t’i frikësohej një burri të fuqishëm si ai, duke parapëlqyer “një grua të dobët”.
Sfidat me të cilat do të përballet ligjvënëset e reja janë të paanë. Korrupsioni është shumë i lartë, pabarazia është e madhe dhe zhvillimi është i pakët. Rreth një e treta e popullsisë është e papunë, ndërsa shkalla e papunësisë për të rinjtë është mbi 50 për qind e për gratë 80 për qind, sipas disa llogaritjeve. Zonja Bala, aktiviste, thotë se ndonëse 60 për qind e të diplomuarve në universitete janë vajza dhe gra, 70 për qind e ofertave për punë u jepen burrave.
Igballe Rugova, aktiviste për të drejtat e grave, thotë se votuesit tash po i shikojnë gratë “jo si gra të kuotave, por si politikane që japin premtime, i mbajnë ato dhe i meritojnë votat”.