Gazeta New York Times raportoi se presidenti i SHBA-së, Donald Trump kishte miratuar sulme ushatarake kundër Iranit, por befas e kishte anuluar vendimin.
Sulmet ishin miratuar si hakmarrje ndaj rrëzimit të një aeroplani pa pilot të SHBA-së, nga ana e forcave iraniane.
Gazeta tjetër, The Times, raportoi se ka pasur “diskutime intenzive” në Shtëpinë e Bardhë, dhe se zyrtarët ushtarakë dhe diplomatikë por prisnin një sulm ushtarak.
Sipas Times, në këto diskutime u përfshinë zyrtarët kryesorë të sigurisë kombëtare të presidentit Trump dhe liderët e Kongresit. Zyrtarët i thanë gazetës, se Trump fillimisht kishte miratuar sulme ndaj disa objektivave iraniane, duke përfshirë radarë dhe bateri raketash.
Raportimet thanë se sulmet do të zhvilloheshin pak para agimit, më 21 qershor, për të minimizuar rrezikun ndaj personelit ushtarak iranian ose civilëve.
Këto zhvillime vijnë një ditë pasi ushtria iraniane njoftoi se ka rrëzuar një dron amerikan, që sipas saj, kishte hyrë në hapësirën ajrore të Iranit.
Mirëpo, Shtetet e Bashkuara e mohuan duke thënë se droni ka qenë duke operuar në hapësirën ajrore ndërkombëtare.
Presidenti Donald Trump tha se rrëzimi i fluturakës është një gabim shumë i madh nga ana e Iranit.
Raportet vijnë në kohën e tensioneve të larta midis Uashingtonit dhe Teheranit, që kanë rritur frikën edhe për mundësinë e një konflikti të armatosur në rajon.