OAEK informon bizneset mbi Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

oaek
Prishtinë | 26 Shk 2018 | 14:45 | Nga

Duke qenë rregullore e re e Bashkimit Evropian në mbrojtjen e të dhënave personale të shtetasve të BE-së për kompanitë të cilat ruajnë apo procesojnë këto të dhëna, e që hyn në fuqi duke filluar nga 25 maj 2018, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe kompania PricewaterhouseCoopers (PwC) organizuan një punëtori mbi Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me qëllim të informimit më të mirë të biznesve që operojnë në Kosovë me implikimet që dalin nga kjo rregullore.

Arian Zeka tha se rregullorja është e rëndësishme duke e pasur parasysh që bëhet fjalë për një kornizë të re rregullative në nivel të Bashkimit Evropian, pas disa viteve prej kur është kërkuar ofrimi i një mbrojtje më të mirë për të dhënat personale për konsumatorët. Zeka tha se Oda Amerikane dhe PwC synojnë të informojnë kompanitë me dispozitat e reja, duke pasur parasysh ndikimet që rregullorja ka, posaçërisht në aspekt të gjobave të reja të cilat sillen në 4% të qarkullimit vjetor, ose 20 milionë euro.

Valon Kryeziu, Drejtor i Departamentit Ligjor në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, tha se kjo rregullore sjellë risi në përpunimin e të dhënave personale, ku përmendi të drejtën për fshirjen e të dhënave, transferimin e tyre, forcimin e llogaridhënjes, si dhe rritjen e transparencës. Më tej, Kryeziu shtoi se edhe Kosova është duke punuar në harmonizimin e legjislacionit të saj nacional me rregullat në nivel të Bashkimit Evropian, duke ftuar Odën Amerikane dhe organizatat e tjera që të kontribuojnë gjatë procesit të plotësim-ndryshimit të legjislacionit.

Dzenet Garibovic, eksperte e GDPR nga PwC Kroaci, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave si primare për kompanitë në Kosovë, duke përmendur hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen në implementimin e kësaj rregullore. Ajo shpjegoi se këto rregulla vlejnë për kompanitë të cilat procesojnë apo ruajnë të dhëna personale të shtetasve të Bashkimit Evropian si dhe ofrimit të shërbimeve, edhe nëse këto kompani nuk janë themeluar në vendet anëtare të BE-së. Ajo shtoi se ligjet aktuale në shtetet e ndryshme duhet të jenë në përputhshmëri me GDPR ashtu që zbatimi i tyre të bëhet sa më shpejtë dhe në mënyrë të duhur.

Më tutje, pjesëmarrësit morën sqarime dhe rekomandime nga ekspertët e PwC-së në zbatimin e kësaj rregullore si dhe detajet dhe kërkesat e tjera të GDPR-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme