OAK e suspendon nga detyra prokurorin disiplinor, ky thotë se ndodhi për shkak se trajtoi një rast

Prishtinë | 22 Maj 2024 | 16:36 | Nga Ekonomia Online


Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK), më 21 maj 2024, përmes një njoftimi në faqen zyrtare të saj ka njoftuar se ka suspenduar nga detyra prokurorin disiplinor të OAK-së, Rexhep Veseli.

Në këtë njoftim thuhet se ndaj Veselit është iniciuar hetim disiplinor, por pa dhënë detaje të tjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Së bashku me këtë njoftim OAK ka publikuar edhe një pjesë të vendimit për suspendimin e përkohshëm të Veselit, ku thuhet se i njëjti do të marrë 50% të pagës bazë deri në një vendim të Odës.

Sipas këtij vendimi, Veselit i ndalohet qasja në objektet e OAK-së dhe i njëjti nuk mund të ketë kontakt me palë apo të prezantohet si prokuror disiplinor.

Me këtë vendim, OAK i ka ndaluar Veselit që gjatë kohës së suspendimit të përkohshëm t’i qaset postës elektronike zyrtare dhe është obliguar ta kthej laptopin zyrtar tek administrata e OAK-së.

Ky vendim thuhet se është marrë nga nënkryetari i OAK-së, avokati Naim Rudari.

Në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, prokurori disiplinor, Rexhep Veseli tashmë i suspenduar ka deklaruar se deri tek suspendimi i tij ka ardhur pasi ka dorëzuar një lëndë disiplinore tek Komisioni Disiplinor që subjekt i hetimit është kryetari i Odës, Besnik Berisha.

Sipas tij e gjithë kjo kishte ndodhur pas një takimi të mbajtur me datën 16 maj 2024.

“Kryetari Odës e ka nxjerr telefonin për me inqizu takimin, gjë për të cilën unë i kam thënë që nuk je i autorizuar për me më inqizu dhe me të përfunduar takimi kur e ka marr vesh që unë e kam dorëzuar një lëndë në Komisionin Disiplinor ku ai është i paraqitur ka tentuar për me ma marr lëndën e tij”, deklaroi Veseli.

Ai deklaroi se kishte refuzuar të ia jep lëndën kryetarit të Odës, duke i thënë se kopja i përket zyrës së prokurorit disiplinor.

Tutje Veseli ka thënë se pas refuzimi të tij për të ia dhënë lëndën, më 16 maj 2024 i ishte ndaluar qasja në zyrën e tij dhe objektin e OAK-së duke e urdhëruar që i njëjti t’i dorëzonte çelësat e zyrës.

“Dhe kur ka kërkuar me marr lëndën e tij, unë e kam njoftu që kjo kopje i përket zyrës së prokurorit disiplinor dhe nuk mund ta ketë. Më ka urdhëruar dhe mi ka marr çelësat e zyrës dhe çelësat e qasjes në objekt, që sot e asaj dite kam edhe gjëra personale që më kanë mbet në zyrë”, ka shtuar Veseli.


Veseli ka deklaruar se menjëherë e kishte raportuar rastin në Policinë e Kosovës, por deri më tani nuk ka informata nëse është intervistuar kryetari Berisha.

Sipas tij, vendimin për suspendimin e tij e ka pranuar më 20 maj 2024, pra katër ditë pas moslejimit të qasjes në zyrën e tij dhe në objektin e OAK-së.

“Vendimin mbi suspendimin tim e kam pranuar me datën 20.05.2024 kur edhe e kam dorëzu llaptopin tim zyrtar pranë Odës së Avokatëve”, tha Veseli.

Tutje, ai ka shtuar se kur kishte lexuar vendimin ka kuptuar se arsyet për suspendimin e tij të cilat janë shkruar në vendim janë se i njëjti ka të shqiptuar vërejtje me shkrim. Por, që sipas tij ai kurrë nuk ka pranuar ndonjë vërejtje të tillë.

“Kur e kam lexu vendimin të njëjtit janë thirrur në një vërejtje me shkrim, kinsen të cilën ma paskan shqiptuar por që unë kurrë vërejtje me shkrim nuk kam pranuar, s’kam pas drejtë ankese ndaj asaj vërejtje. Ata le t’ma dëshmojnë që ma kanë shqiptu atë vërejtje me shkrim”, deklaroi Veseli.

Në fund Veseli ka shtuar se askund në arsyetimin e vendimit nuk është thënë se i janë marrë çelësat dhe nuk i është lejuar të ketë qasje në objekt dhe zyrën e tij.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe me nënkryetarin e OAK-së, avokatin Rudari, i cili tha se i njëjti ka theksuar se nuk mund të jap detaje lidhur me këtë çështje për shkak se çështja është ende në proces.

“Lidhur me çështjen që ju keni në trajtim, meqenëse behet fjalë për suspendim të përkohshëm dhe organet e OAK-se akoma nuk kane dhënë verdiktin ne këtë çështje, si dhe akoma jemi brenda afatit për ushtrimin e ankesës nga i punësuari, jam i shtyrë të përmbahem nga komentimi i kësaj çështjeje në publik. Sidoqoftë, ju siguroj se veprimet dhe vendimet e managjmentit te OAK-se mbështeten në ligj dhe në akte të brendshme të OAK-se jo vetëm në këtë rast, por në çdo çështje e për çdo të punësuar”, ka deklaruar avokati Rudari.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, kryetari i OAK-ut Besnik Berisha nuk ka dashur të komentojë asgjë rreth kësaj çështje me arsyetimin se ai nuk ka lidhje me ketë vendim.

“Sa i përket lakimit të emrit tim, meqë nuk jam në dijeni se çfarë ka thënë i suspenduari, nuk jam në gjendje për të hamendësuar thëniet e tij, e as për të shpreh opinion lidhur me ankesat e tij”, ka dhënë Berisha.

Sipas tij, OAK ka akte normative që rregullojnë të drejtat dhe detyrimet e secilit të punësuar.

“Inkurajojmë secilin që pakënaqësitë e tij t’i adresoje tek organet e OAK-se dhe të shfrytëzojë rrugët ligjore për të realizuar të drejtat e garantuara me ligj dhe Kushtetutë”, tha kryetari i OEK-ut.

Ndryshe, sipas Rregullores për Procedurën Disiplinore, Zyra e Prokurorit Disiplinor përgatit propozim dhe të njëjtin ia dërgon Komisionit Disiplinor.

Komisioni Disiplinor pas pranimit të propozimit nga Zyra e Prokurorit Disiplinor të OAK-së është përgjegjës për udhëheqjen e procedurës disiplinore kundër të paraqiturit për shkelje disiplinore. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme