Organizata për Bashkëpunim Islamik (OBI), ka miratuar konkluzionet e takimit të mbajtur në Stamboll, ku për temë ka pasur zhvillimet e fundit në Gaza, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e samitit, të cilin e kryesoi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, theksohet se Izraeli ka kryer veprime të cilat paraqesin krim brutal dhe se të njëjtat i ka kryer me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Është theksuar edhe vendosmëria për ndërmarrjen e masave politike dhe ekonomike kundër shteteve të cilat do të njohin Kudsin për “kryeqytet të Izraelit.”
Pjesëmarrësit e samitit, kanë apeluar të mundësohet mbrojtje ndërkombëtare e popullit palestinez, përfshirë dërgimin e trupave paqësore.
Në deklaratë, i bëhet thirrje bashkësisë ndërkombëtare, më saktësisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të veprojë brenda juridiksionit të tij, për të mbrojtur të drejtën ndërkombëtare.
Në deklaratë, dënohen ashpër edhe veprat kriminale gjatë protestave paqësore në Gaza, të cilat i kryen forcat izraelite kundër palestinezëve të paarmatosur, ndërkohë që është kërkuar një hetim i pavarur ndërkombëtar, i cili do të hetonte krimet dhe masakrat të cilat i kryen izraelitët në Rripin e Gazës, duke sjellë fajtorët para drejtësisë.
Organizata për Bashkëpunim Islamik (OBI) ka hedhur poshtë vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, më të cilin njeh Kudsin për kryeqytet të Izraelit, ndërkohë që kërkon nga anëtarët e organizatës dhe bashkësia ndërkombëtare, të ndalojë qasjen në treg të produkteve të prodhuara në vendbanimet ilegale hebreje.
Kujtojmë se ushtarët izraelitë vranë 62 palestinezë dhe plagosën të paktën 3.000 të tjerë të cilët morën pjesë në protestat e organizuara në kufirin e Gazës nën rrethim, me qëllim për të protestuar kundër hapjes së ambasadës së SHBA-ve në Kuds dhe për të përkujtuar 70 vjetorin e “Nakba”-s.