Obiliqi i bashkohet fushatës vetëdijesuese kundër kancerit të gjirit

Prishtinë | 12 Tet 2018 | 17:00 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të muajit ndërkombëtar kundër kancerit të gjirit në Kuvendin Komunal të Obiliqit u mbajt një ligjëratë informuese dhe vetëdijesuese kundër kësaj sëmundjeje, ku ligjëruesit ndër të tjerash potencuan rëndësinë e zbulimit të hershëm të kësaj sëmundjeje.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në këtë komunë, Ibush Mjekiqi, tha se kjo ligjëratë me karakter informues, po organizohet në kuadër të fushatës vetëdijesuese kundër kancerit të gjirit.

“Organizatorë të kësaj ligjërate, të kësaj fushate vetëdijesuese është Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në bashkëpunim me Shoqatën e Onkologëve të Kosovës, Shoqatën ‘Jeta Vita, po ashtu me sektorët tanë duke filluar prej QKMF-së, Zyrës për Barazi gjinore, sektorit për kulturë dhe grupe të tjera të përfshira në këtë aktivitet”, ka thënë Mjekiqi.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, Nafije Latifi, tha se në kuadër të këtij muaji janë duke organizuar ligjërata nëpër komuna të ndryshme.

Ajo tha se sot ka pasur interesim të madh për pjesëmarrje dhe informim nga gratë e komunës së Obiliqit dhe njëherësh tha se zbulimi i hershëm i kësaj sëmundjeje ndihmon në trajtimin më të lehtë.

“Motoja e shoqatës sonë dhe e aktiviteteve është ‘Zbulimi i hershëm – mbijetesë’. Nëse zbulohet sëmundja herët, atëherë mund të trajtohet, diagnostifikohet dhe trajtohet shumë më lehtë, shumë më shkurtë dhe me shpenzime më të vogla, dhe mbijetesa, suksesi e cilësia e jetës është shumë më e madhe. Unë flas në emër të pacientëve sepse në vitin 2004 jam ataku me këtë sëmundje dhe kjo ka qenë edhe ideja që të themelohet kjo qendër për luftimin e kancerit të gjirit”, ka thënë Latifi.

Ajo njëherësh inkurajoi gratë që vazhdimisht të bëjnë kontrolla ultrasonografike dhe monografike.

Ndërkaq, doktor Arben Bislimi nga Shoqata e Onkologëve të Kosovës, tha se është viti i tretë që po e mbajnë këtë fushatë vetëdijesuese kundër kancerit të gjirit në Kosovë. Ai tha se një nga rezultatet që kanë arritur, është thyerja e tabusë ndaj kësaj teme. Ai po ashtu tha se vet fakti që tashmë po flitet për këtë sëmundje, po ua lehtëson punën drejt diagnostifikimit të hershëm, transmeton kp.

“Më herët ndoshta ka qenë tabu të flitet për një kancer gjiri, kurse sot po diskutohet edhe po flitet më lehtë, edhe ne po e kemi më lehtë si profesionistë. Nuk ka parandalim tjetër për këtë sëmundje për kancerin e gjirit, nuk ka prevencë tjetër përveç zbulimit të hershëm, domethënë nuk ka formë tjetër, edhe për atë gjithmonë fokusin e kemi këtu, që ta rrisim vetëdijen, ndërgjegjen e popullatës edhe të masave të gjera që të bëjnë kontrollet e nevojshme, varësisht nga mosha”, ka thënë Bislimi.

Përndryshe, muaji tetor në botë njihet si muaji ndërkombëtar i luftimit të kancerit të gjirit dhe në Kosovë është shënuar në komuna të ndryshme përmes aktiviteteve dhe ligjëratave informuese e vetëdijesuese.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme