Pas homazheve të bëra te pllaka e dëshmorëve të Obiliqit dhe përurimit të lapidarit për 10 dëshmorët e familjes Rama, kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi mori pjesë edhe në manifestimin qendror të organizuar në këtë komunë në shkollën fillore Ibrahim Rugova.
Gashi para të pranishmëve në këtë manifestim tha se liria e arritur është vlera më e madhe dhe askund nuk mund të gjendet një popull që ka kontribuar më shumë se populli shqiptar në lirinë e vet, raporton Ekonomia Online.
Ai ftoi që përpara interesave individuale të vihet interesi i qytetarëve dhe të punohet në të mirë të tyre.
“Të gjithë ne duhet të punojmë që këtë liri ta materializojmë që ta kthejmë për qytetarët tonë. Të gjitha këto fjalime kanë bërë thirrje që interesat politike ti lëmë menjëanë dhe të ecim përpara arsyet që të jemi bashkë janë më shumë se arsyet që na ndajnë. Edhe sot bëj thirrje që të orientojmë punën në të mirë të të gjithëve”, tha Gashi.
Në anën tjetër, Esat Curri përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta falenderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe tha se Skenderbeu dhe Ismajl Qemajli kanë qenë frymëzim për të tjerët.