Komuna e Obiliqit Ditën Ndërkombëtare të Tokës e ka shënuar me një varg aktivitetesh. Fillimisht është bërë mbjellja e luleve, pastrimi i rrugës kryesore “Hasan Prishtina” dhe të parqeve të qytetit.
Gjithashtu u bë edhe pastrimi i oborreve dhe përreth oborreve të objekteve arsimore, pastrimi i oborreve dhe përreth oborreve të objekteve shëndetësore dhe pastrimi i disa deponive ilegale në disa zona, raporton Ekonomia Online.
Nënkryetari i komunës së Obiliqit, Ajet Berisha, tha se kjo komunë ka nevojë më së shumti për një ambient të pastër dhe përmes këtyre aktiviteteve duan të vetëdijesohen qytetarët për ta gjelbëruar sa më shumë qytetin në mënyrë që të mbrohet shëndeti i gjithë banorëve.
“Ne sot për nder të ditës së tokës 22 prillit kemi organizuar ditën e sotme për arsye që është ditë e punës, edhe pse jemi një komunë me specifikë të mëdha të ndotjes së ambientit ne po mundohemi që përmes këtyre aktiviteteve me ia lehtësuar jetën dhe gjendjen shëndetësore ambientale të banorëve të Obiliqit”.
Berisha, me stafin e komunës, drejtorin e mjedisit dhe ambientit Arben Berisha, FSK-në, KEK-un, nxënësit e shkollës së mesme, për shenjë të ditës se tokës dolën për të pastruar qytetin e Obiliqit dhe deponitë e fshatit Plemetin dhe tërë territorin e kësaj komune.
“Kështu që në këtë drejtim ne jemi organizuar edhe gjatë mandatit të kaluar e tash edhe në këtë mandat, kemi eliminuar deponi të reja, jemi përfitues të garës së mjedisit të udhëhequr nga GIZ-i, jemi renditur në vendin numër 4 që për mua ka qenë një sfidë shumë e madhe por duke ju falënderuar punës e aktivitetit të pandalshëm të stafit, ndihmës së FSK-së, KEK-ut i falënderoj jashtëzakonisht, deponia regjionale që na ka përkrahur vazhdimisht dhe pa pagesë na ka pastruar gjithë këto mbeturina dhe komandantin e policisë që na ka ndihmuar në organizim”.
“Kështu që edhe sot e kemi bërë ketë aktivitet eliminimin të tërësishme të deponive, kështu që në ketë drejtim do të jemi shumë mirë dhe jam i kënaqur me punën që kemi bërë deri tani”.
“Ne tani kemi organizuar fushata vetdijësues nëpër shkolla, nxënës, komunitete, qytetarë qe do të jetë shumë shpejtë dhe do organizohemi me fushatë vetëdijësuesë për qytetarë”.