Komuna e Gjilanit nuk ka kompani të kontraktuar për sigurimin fizik të objekteve komunale. Zyra e prokurimit në këtë komunë ende nuk ka nisur procedurat e prokurimit me qëllim që të ketë një kompani, e cila do të merret me sigurimin e objekteve komunale.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka deklaruar se tash e 3 vjet për objektet komunale nuk ka pasur sigurim të duhur në mungesë të kompanisë, por deklaron se nuk është shënuar ndonjë rast i shkatërrimit apo vjedhje të aseteve komunale. Ai ka deklaruar se vetëdija e qytetarëve ka ndikuar që objektet të ruhen, shkruan sot Koha Ditore.
“Sikur nuk e di arsyen që prokurimi ka dështuar në zgjidhjen e problemit të sigurimit të objekteve komunale dhe këtu hyn edhe arsimi. Sigurimi i objekteve është detyrë komunale dhe nuk është vetëm ruajtja e vlerës dhe asetit tonë. Mirëpo, përmes ruajtjes së tyre ne e ruajmë jetën e qytetarëve e ruajmë punën tonë dhe dinamikën. Është viti i tretë që Gjilani është pa sigurim në objekt dhe falënderoj qytetarët e Gjilanit që po i ruajnë objektet tona”, ka thënë Haziri.
Ka përmendur edhe problemin e pazgjidhur të punëtorëve teknikë nëpër shkolla dhe të punëtorëve të cilët merren me sigurimin e objekteve shkollore, të cilët janë angazhuar nga Komuna duke lidhur kontrata në vepër meqë ende nuk është arritur që të gjendet një zgjidhje afatgjate.