O’Brien e përsëritë: Kosova dhe Serbia të përmbushin zotimet e marra në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja

Prishtinë | 02 Pri 2024 | 08:57 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ndihmës sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien, kanë biseduar në telefon për një gamë çështjesh që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe diskutimet lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë, që ka çuar në mospajtime mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.

O’Brien shkroi në rrjetin X, se me presidenten Osmani diskutoi “rëndësinë e zbatimit të rregullave monetare nga Kosova në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë komunitetin pakicë serb, dhe që palët të përmbushin të gjitha zotimet e marra në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.”

Për Kosovën kjo përfshinë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shkroi ai.

Presidentja Osmani e cilësoi të dobishme bisedën me O’Brien, ndërsa tha se ka nënvizuar “rëndësinë thelbësore të punës së bashku me aleatët tanë amerikan për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë.”

“Ne diskutuam gjithashtu hapat e Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe zbatimin e plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes së Brukselit”, shkroi presidentja Osmani.

Të enjten Kosova dhe Serbia pritet të takohen në një rund të ri bisedimesh për zgjidhjen e situatës së krijuar pas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.

Rregullorja që ka hyrë në fuqi me 1 shkurt, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi.

Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re.

Javën që lamë pas Komisioni për politikë dhe demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës rekomandoi që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e këtij Këshilli.

Asambleja parlamentare pritet të votojë gjatë muajit prill ndërsa vendimi përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës pritet në muajin maj, në Këshillin e Ministrave të këtij mekanizmi.

Vendimi nxiti edhe reagimin e Beogradit. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kritikoi të premten ashpër perëndimin për qasjen ndaj Kosovës, ndërsa vendi i tij votoi kundër, ndonëse në marrëveshjen e arritur një vit më parë në Bruksel dhe në Ohër, të dyja palët zotohen se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Të ngjashme