Ekipi i Kosovës dhe ai i Serbisë nesër në Washington do të takohen me këshilltarin për Siguri Kombëtare të SHBA-së, Robert O’Brien.
Nikoqiri i dy shteteve ballkanike tha se mezi pret t’i takojë dy liderët duke thënë se përkushtimi i tyre në këtë dialog nënkupton përfitim për qytetarëve e të dyja vendeve, njofton Klan Kosova.
“Mezi pres t’i takoj presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin Avdullah Hoti nesër në Shtëpinë e Bardhë. Këto diskutime të rëndësishme do të avancojnë paqen përmes bashkëpunimit ekonomike. Përkushtimi i të dy udhëheqësve do të sjellë përfitime për Serbinë dhe Kosovën”, shkroi ai në Twitter.
Përveç O’Brien, ekipi i kryesuar nga Hoti do të ketë takime edhe me emisarin special të dialogut Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Në këtë takim do të paraqiten kërkesat që i ka Qeveria e Kosovës dhe do të prezantojë projektet konkrete, pritet të jenë shtatë ose tetë, që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik si me lidhje të ndryshme infrastrukturore dhe me udhëtimin ajror.
Ndërkaq, në bazë arritjeve që do të dalin nga këto takime pritet të vendoset edhe agjenda e saktë e e takimit të së premtes.