Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka bërë thirrje Tanzanisë që të nisë të raportojë rastet me koronavirus dhe të ndajë të dhënat, njofton BBC.
Tanzania është një nga vendet e pakta në botë që nuk publikon të dhëna për rastet me COVID-19.
Së fundi ka publikuar në maj, kur kishte regjistruar në total rreth 500 raste e 20 të vdekur.
Në qershor, presidenti John Magufuli, e shpalli Tanzanisë të “çliruar nga virusi”.
Mirëpo, po rritet shqetësimi për mundësinë e pandemisë së fshehur.
Thirrja e OBSH-së ka ardhur pas një numri të vdekjeve të zyrtarëve qeveritarë.
Zëvendës-presidnti i ishullut gjysmë-autonom të Tanzanisë, Zanzibar, Seif Sharif Hamad, vdiq të mërkurën. Partia e tij tha se ai ishte infektuar me koronavirus.
Ai ishte politikani më i shquar në Tanzani që publikisht deklaroi se është i infektuar me koronavirus.
Edhe kreu i shërbimit civil, John Kijazi, vdiq të mërkurën, por nuk u treguan shkaqet e vdekjes.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka ngushëlluar Tanzaninë për vdekjet e qeveritarëve, por në të njëjtën kohë e ka lutur që të ndajë të dhënat e rasteve me COVID-19.
Derisa është e vështirë të dihet përmasa e përhapjes së koronavirusit në Tanzani pa të dhënat, Ghebreyesus, ka thënë se qytetarët e Tanzanisë që po udhëtojnë jashtë shtetit po testohen pozitivë me koronavirus.
“Tanzania duhet të marrë masa të forta si për t’u kujdesur për shëndetin e qytetarëve të saj e po ashtu edhe për të mbrojtur popullatën në shtet tjera rreth”, ka thënë ai.
Presidenti i Tanzanisë, Magufuli, më hedhët ka minimizuar rreziqet nga pandemia dhe ka refuzuar të marrë masa. Ministri i Shëndetësisë më herët këtë muaj ka thënë se Tanzania nuk ka plane për vaksinim kundër koronavirusit.
Mirëpo, të premten, duke mbajtur fjalim në varrimin e Kijazit, Magafuli është dukur se ka pranuar se virusi po qarkullon në Tanzani.
Ai ka thënë se Tanzania e mposhti COVID-19 vitin e kaluar dhe se do ta mposhtë sërish.
Më pas të dielën, ai ka inkurajuar njerëzit të mbajnë maska për të evituar infektimin. Mirëpo, ai ka bërë thirrje të përdoren masat e prodhuesve vendor, ndërsa pa dëshmi ka thënë se disa nga maskat e importuara nuk janë të sigurta.